/ATSH/.- Grupi i këshilltarëve komunalë të Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Gjilanit kërkojnë nga institucionet komunale që të kontraktojnë një kompani për mirëmbajtje dimërore të rrugëve, përmes procedurave të përshpejtuara me kuotim dhe të zhbllokohen të gjitha rrugët nëpër fshatrat e Gjilanit, sepse kjo gjendje sipas tyre është e rëndë për lëvizjen dhe jetën normale të qytetarëve, e sidomos për nxënësit.

"Të gjitha rrugët në fshatrat dhe në qytetin e Gjilanit janë me rrugë dhe trotuare të papastruara nga bora dhe nga ngricat, gjë që ka vështirësuar qarkullimin normal të automjeteve dhe qytetarëve. Institucionet komunale janë treguar të papërgjegjshme dhe nuk kanë arritur ende të kontraktojnë ndonjë kompani për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në Gjilan edhe pse jemi në muajin janar", thuhet në një reagim të PDK-së për situatën e krijuar ditëve të fundit nga bora.

Ata kritikojnë procedurat e tenderimit dhe sipas anëtarit të Kuvendit Komunal, Riad Rashitit edhe pse komuna e kishte shpallur kompaninë fituese të tenderit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, Organi i Shqyrtimit Publik në Prishtinë nuk e ka lejuar zyrën e prokurimit në Gjilan, që të nënshkruajë kontratën me këtë kompani, e cila ka qenë e planifikuar të bëhet më 5 janar, për shkak të ankesave që kanë bërë kompanitë e tjera konkurruese në këtë tender, për parregullsitë në vlerësimin e ofertave për këtë projekt.

Sipas tyre, procedurat e këtij tenderi është dashur të kryhen para sezonit të dimrit dhe se qytetarët e komunës së Gjilanit po vazhdojnë të pësojnë gjatë dimrit./KosovaPress/