TIRANE- Prezenca e uniformave blu pranë institucioneve të arsimit publik mbulon pjesën e sigurisë fizike, por ana emocionale dhe pasiguritë e adoleshentëve kanë nevojën e psikologut. Në arsimin parauniversitar, tashmë është e sanksiounuar me ligj prezenca e një psikologu për çdo shkollë. “Fenomenet me të cilat përballen të rinjtë sot dhe pasiguritë që shfaqen edhe për shkak të moshës së tyre, në shumë raste kanë nevojë për këshillat e një punonjësi social”, shprehet për “Shiptarja.com” psikologia Anxhela Peza. Ministria e Arsimit ka bërë një ndarje të psikologëve të saj nëpër shkolla, ku një psikologu i duhet të mbulojë 2-3 institucione arsimore. Nëse një nxënës ka nevojë të flasë me psikologen e shkollës së tij, duhet të dijë më parë ditën dhe orarin që ajo punonjëse është aty.

“Duhet të jenë vetë drejtuesit e shkollave që të kërkojnë pranë Ministrisë së Arsimit psikologë me kohë të plotë”, shton psikologia Peza. Sipas saj, mendësia e adoleshentëve  ka ndryshuar. Vetë nxënësit nuk janë më të ndrojtur të flasin me psikologun e tyre për problemet që ata kanë, por prezenca e kufizuar e tyre nëpër shkolla i bën të harrojnë se aty ka një njeri që mund t’i ndihmojë. Vetë nxënësit shprehen për “Shqiptarja.com” se e njohin se kush është psikologia e shkollës së tyre, por nuk ka ndodhur që për problemet që kanë të flasin me të. Psikologët tregojnë se përgjithësisht vajzat janë më të predispozuara të kërkojnë këshilla prej tyre. Meshkujt preferojnë që problemet që kanë t’i zgjidhin më mirë mes tyre, kjo edhe për faktin se pjesa më e madhe e atyre që ushtrojnë profesionin e psikologut në vendin tonë janë femra.

Fenomenet sociale dhe mënyra se si të rinjtë përpiqen t’u japin zgjidhje problemeve që kanë, përbën edhe punën kryesore të një punonjësi social në një shkollë. Vetë prindërit kanë një rol shumë të rëndësishëm për edukimin e fëmijëve. Shpesh në përpjekje për t’u kujdesur për të mirat materiale të fëmijëve të tyre, prindërit harrojnë se komunikimi dhe përkrahja emocionale është shumë më e rëndësishme për ta. Nevojat për edukimin dhe asistencën e psikologut i kanë më tepër të rinjtë që vijnë apo jetojnë në zonat rurale. Në këto zona mjetet e informimit janë më të pakta dhe rrjedhimisht edhe fenomenet shoqërore perceptohen me vështirësi.

Por, pavarësisht se janë më të informuar, të rinjtë që jetojnë në zonat urbane janë më të rrezikuarit sepse janë më të ekspozuar ndaj të gjitha dukurive sociale. Evidentimi i të rinjve që janë më të predispozuar ndaj këtyre fenomeneve, e bën të domosdoshme prezencën minimale të një psikologu në institucionet arsimore. Bashkëveprimi mes mësuesve kujdestarë dhe psikologëve do të parandalonte ngarkesat e forta emocionale tek të rinjtë.

Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com