TIRANE - Gati 40 mijë votues të rinj do t’i shtohen listave të zgjedhjeve. Bëhet fjalë për 18-vjeçarët të cilët votojnë për herë të parë këtë vit. E ndërsa fushata elektorale ka filluar dhe bashkë më të edhe presioni për vendet e punës në shkëmbim të votës. Vetëm pak ditë më parë në gazetën “Shqiptarja.com”, u publikuan ankesat e arsimtarëve për presionin që u bëhej ”Na kërkojnë çdo ditë që të plotësojmë formularë me emër, mbiemër dhe numrin e qendrës së votimit ku ne votojmë.

Na kërkojnë të gjitha të dhënat dhe numrin e personave që votojmë në shtëpi. Na kujtojnë se duhet të votojmë për ata që na mbajnë me bukë. Ne e dimë që nuk është urdhri i ministrit ky, por i njerëzve të tjerë”, u shpreh një arsimtar. E ndërsa arsimtarëve dhe adimistratës u bëhet presion me vendin e punës për të votuar partinë në pushtet, duket se ata që kanë “shpëtuar” nga presionet janë maturantët e shkollave të mesme, të cilët votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Në vëzhgimin e bërë nga gazeta “Shqiptarja.com”, nxënësit e viteve të fundit të gjimnazit thonë se në shkollat ku ata mësojnë mësuesit nuk u bëjnë fushata elektorale dhe as nuk u bëjnë presion për nota nëse nuk votojnë njërën apo tjetrën parti. “Në shkollën tonë “Petro Nini Luarasi” nuk ka pasur asnjë rast që mësuesit apo persona të tjerë të na bëjnë ndonjë presion për votën.

Madje nuk na kanë ardhur fare persona nga jashtë që të na flasin për çështje që kanë të bëjnë me politikën” thotë një maturant i shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, i cili ka të drejtë vote në 23 qershor. Po e njëjta situatë është edhe në shkollën “Abdulla Keta”. ” Mësuesit asnjëherë nuk na kanë thënë që votoni për këtë, apo për atë parti. As nëpër mitingje nuk na kanë thënë të shkojmë, të paktën deri tani.

Nuk ka pasur as persona të tjerë që nuk janë pjesë e shkollës të vijnë dhe të na thonë se për kë duhet të votojmë. Në shkollë na kanë ardhur vetë disa trajnues nga Ministria e Arsimit, ku na kanë thënë thjesht si duhet të votojmë, që vota është e fshehtë, që vota nuk është familjare, pra rregulla. Por asnjëherë nuk na kanë thënë se për kë duhet të votojmë” shprehet një gjimnaziste e shkollë së mesme “Avdulla Keta”.

Ndërsa një tjetër maturant e shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi shprehet “Jo, nuk kemi pasur presione të tilla nga askush dhe nuk na kanë thënë gjë fare”. Kurse një maturant i shkollës “Sami Farshëri” shprehet se nëse do të kishin presion me votë për nota, nuk do të rrinin indiferent.

“Askush nuk na ka ardhur deri tani, por po të na bëjnë presione qoftë edhe indirekte mësues apo persona të tjerë në lidhje me votën nuk do të rrimë në heshtje por do ta ngremë zërin” thotë gjimnazisti.

“Tek ne nuk ka patur raste detyrimi për të votuar këtë apo atë parti politike, mësimi vazhdon rregullisht dhe pa ndërhyrje nga të tjerë për të bërë ndonjë fushatë elektorale brenda institucionit të shkollës” shprehet një maturante e shkollës se mesme “Qemal Stafa”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.05.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)