KLD ka përzgjedhur përmes shortit 8 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës të cilët kanë të drejtën e shqyrtimit të pretendimeve nga partitë politike dhe kandidatët në lidhje me procesin zgjedhor.
 
Mes 90 kandidatëve për Kolegjin Zgjedhor, pasi dy u përjashtuan për shkak të moshës afër pensionit, goglat zgjodhën Artur Malajn, Tomor Shkrelin, Ridvan Hadon, Shkëlqim Mustafën, Lindita Sinanajn, Gjin Gjonin, Astrit Kalanë dhe Sotiraq Lubonja.
 
Përzgjedhja nga goglat është pritur me buzëqeshje nga Gjin Gjoni, i cili është përfaqësues i Gjykatave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
 
Të pranishëm në hedhjen e shortit kanë qenë edhe përfaqësuesit e partive politike, ndërsa ishte i hapur edhe për publikun.
 
Mandati i 8 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor është 4 vite. Anëtarët e rinj që janë zgjedhur nuk e kanë kaluar Vettingun duke i shpëtuar ligjit, pasi nga sot e në 4 vitet në vazhdim deri në fund të mandatit kanë imunitet.

Ligji i Vettingut u miratua nga parlamenti pak muaj më parë, por që aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, e cila e pezulloi për shkak të ankesës së PD duke shtyrë hyrjen në fuqi dhe zbatimin e tij.
 
Anëtarët e rinj kanë në dorë fatin e zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit të vitit të ardhshëm, nëse do të ketë ankesa.

Mes anëtarëve të kolegjit të ri spikasin emrat e Shkëlqim Mustafës, një nga gjyqtarët që pati në shqyrtim masat e sigurisë për dosjen “21 Janari”; Ridvan Hado, kryesues i trupës gjyqësore që shqyrtoi tragjedinë e Gërdecit dhe gjyqin për Ardian Fullanin; si dhe Astrit Kalaja që ka qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor në vitin 2011, që i dha fitoren Lulzim Bashës përballë Edi Ramës në garën për Bashkinë e Tiranës.

Kujtojmë se në vitin 2011 ishte Kolegji Zgjedhor ai që i dha fitoren Lulzim Bashës, pasi vendosi të numërojë votat e hedhura gabim në kuti. 



Nga vijnë 8 anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor
Artur Malaj, Apeli Administrativ Tiranë
Tomorr Shkreli, Gjykata e Apelit Shkodër
Ridvan Hado, Gjykata e Apelit Tiranë
Shkëlqim Mustafa, Gjykata e Apelit Tiranë
Lindita Sinanaj, Apeli Administrativ Tiranë
Gjin Gjoni, Gjykata e Apelit Tiranë
Astrit Kalaja, Gjykata e Apelit Shkodër
Sotiraq Lubonja, Gjykata e Apelit Korçë
Gjin Gjoni dhe Ridvan Hado janë njëkohësisht anëtar KLD-je.

Lista e kandidatëve