Gjinushi komentoi edhe rolin e liderit e ri të PD-së. Sipas tij Basha nuk ka arritur të largojë hijen e ish-liderit të tij. Në intervistën e tij për gazetën “Shekulli”, Gjinushi foli edhe në cilësinë e ishministrit të Arsimit, e më tej edhe për raportet e tij me Ramën pas marrjes së pushtetit, për “skandalin” e Bankës së Shqipërisë, për reformën territoriale dhe për mbylljen e një pjese të universiteteve private.
Z. Gjinushi Presidenti ka kthyer të gjitha ligjet e fundit. Pritet të mos dekretojë edhe ligjet për ndarjen e re territoriale si dhe 3 ligjet e tjera që janë në tavolinën e tij. Si i gjykoni vendimet e presidentit Nishani?
Ndryshimet kushtetuese dhe produkti i tyre ishte një nga momentet kyç të prishjes së ekuilibrave politikë në Shqipëri. Kushtetuta e Shqipërisë sanksiononte zgjedhjen e presidentit me 84 vota, konsensual ose i pranuar nga të dy krahët. Njëherësh dhe krerët e institucioneve kryesore kushtetuese duhej të zgjidheshin po me 84 vota. Por ato ndryshime prishën këto ekuilibra. Ndërkohë që propozimet e fundit për ndryshimin e ligjit të KLD-së, që erdhën si propozime të Ministrit të Drejtësisë, shfaqën pikërisht këtë situatë, ku pavarësisht se mazhoranca qeverisëse i pati votat, pati një lëkundje të balancave. Por ajo që është më e rëndësishme ishte evidentimi i qartë i pasojave që vijnë nga zgjedhjet e krerëve të institucioneve pa konsensus, siç ishte rasti i presidentit, dhe në këtë rast kreu i KLD-së. Pasi synimi kryesor i ish- kryeministrit Berisha ishte kontrolli i të gjitha institucioneve, e veçanërisht gjyqësorit. Presidenti duhet të ishte i pranueshëm nga të dy krahët, duhet të ishte konsensual.
Nuk u zgjodh me konsensus dhe nuk arriti të dilte mbi palët siç bëri Topi nga fundi i mandatit të tij, sepse edhe ai në fillim ishte i varur nga partia sepse ishte pjesë e kryesisë së PDsë, madje ishte dhe kryetar i grupi parlamentar. Nga fundi kur Topi e hetoi se ai nuk mund të rikthehej më në PD ndryshoi kurbën. Filloi të sillej më me racionalitet dhe doli mbi palët. Berisha pas gabimit që bëri me Topin, dhe rrezikut të humbjes së zgjedhjeve hodhi në qarkullim për nominim për President disa persona të irritueshëm, njëra prej të cilëve ishte Jozefina Topalli. Ky ishte vetëm për konsum mediatik e kam thënë në një emision televiziv. Ndërkohë që Berisha kishte etiketuar personin që do të mbronte për 5 vitet e ardhshme kur të dilte në opozitë. Dhe koha e vërtetoi se zgjedha e tij, Nishani ishte goditje në shenjë. Ai së bashku me drejtuesit e KLDsë po mbrojnë Berishën dhe po pengojnë mazhorancën të kryejnë reformat e nevojshme që i duhen vendit për t’u integruar.
Sipas jush presidenti Nishani është përfaqësues i PD-së dhe jo i popullit...?
Përfaqëson Partinë Demokratike. Ai është zgjedhur nga Berisha dhe vazhdon të luajë rolin e zëdhënësit të PDsë. Veprimet e tij janë të diktuara nga Berisha. Është kukulla e tij. Qëndrimet e Nishanit janë në sinkron të plotë me deklaratat që dalin nga SHQUP-i çdo ditë për problemet që nuk janë probleme. Nishani njësoj si zëdhënësit e Bashës i shmanget problemeve të vërteta. Si PDja ashtu dhe Nishani nuk ballafaqohen me problemet reale, ndoshta nga që janë të përfshirë në skandale preferojnë të qëndrojnë larg atyre dhe preferojnë të mos rikthejnë në çështje ditë pisllëqet e vjetra ku janë të përfshirë dhe merren me gjëra periferike.
Basha një vit në krye të PD-së. Si po sillet lideri i ri i saj ?
Nuk ka arritur të bëhet lideri i PD-së. Një lider i ri duhet të ketë dy cilësi që të quhet lider i ri. Së pari duhet të dalë nga hija e atij që ka qenë para tij. Basha nuk ka arritur të largojë hijen e Berishës. Lulzim Basha e di se çfarë është vjedhja e votave se ashtu u zgjodh në krye të bashkisë por edhe si kryetar i PD-së. Është akuzuar nga kundërshtarët e tij se manipuloi zgjedhjet për kryetar të degëve. Po ashtu si ministër është akuzuar për korrupsion, u akuzua dhe për shtypjen me dhunë të protestave të 21 Janarit, nuk dha dorëheqjen si kryetar bashkie kur u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike. Ka bërë shkelje të mëdha. Basha dhe opozita duhet t’i bënin oponencë problemeve ose edhe dështimeve, apo defekteve të qeverisë aktuale apo personave të caktuar, ndërkohë ajo kërkon të sajojë “pisllëqet”, që dikur i ka bërë vetë, duke u përpjekur t’ia faturojë qeverisë. Në kohën kur tamam qeveria filloi luftën kundër drogës dhe që kur u ndërmor aksioni në Lazaratit, opozita krijon aleancën antidrogë duke e kthyer në një lëvizje qesharake. Ata vetë nuk bënë asnjë spastrim apo të kërkojnë dorëheqjen e dikujt për të akuzuar të implikuarit apo të kërkojnë rregullime në ligj. Ky është një avantazh i madh në aspektin formal. Ka vetëm ngatërrestarë në opozitë, dhe ndjekës të metodave të dikurshme të Berishës, nuk ka aspak origjinalitet.
Kemi një vit të mazhorancës në pushtet. Kemi një vit bashkëqeverisje mes LSI-së dhe PS-së. Si ju duket qeverisja Meta-Rama?
Asnjëra nga të dyja partitë nuk pati rritje elektorale në zgjedhjet e fundit të 23 qershorit, por votat kanë qenë kontribut i rezistencës katërvjeçare të të gjitha partive opozitare. Edhe pse ka pasur shumë reagime për sa i përket anës morale të kësaj aleance por nuk duhet të harrojmë anën elektorale që është dhe ajo që vendos se kush do të marrë pushtetin. Njerëzit votuan për ndryshimin. Kontributi i një personi në parti gjithnjë vlerësohet me votë. Sidomos në Shqipëri kjo gjë bëhet edhe më e qartë dhe pse në vendin tonë dhe propaganda ka një vend të rëndësishëm. Televizionet e shumta, kanalet informuese bëjnë një punë shumë të madhe, sa që ndonjëherë partitë harrojnë se duhet të kërkojnë personalisht votën e elektoratit, por efekti reklamë është real.
Ndërkohë ju dukeni i lënë anash. A jeni takuar me zotin Rama dhe të flisni?
Ne takohemi por nuk kemi folur për gjëra konkrete. Nuk mund të them as që jemi në pritje të ftesës nga ai. Ne kemi bërë një koalicion para zgjedhor dhe koalicioni ynë ka dalë fitues. E thashë, ne si PSD nuk jemi promovuar nga mediet sa duhet në kohë fushate. Sot dihet roli i medieve dhe fuqia që kanë ato te opinioni. Pavarësisht kësaj ne kemi votuesit tanë dhe elektorati ynë votoi koalicionin që po qeveris vendin dhe parimisht duhet të ishim të përfaqësuar.
"Skandali" i Bankës së Shqipërisë, Fullani duhet të shkarkohet
Pas “skandalit” të Bankës së Shqipërisë nuk kemi asnjë dorëheqje, qoftë dhe morale?
Politikanët shqiptarë nuk e kanë praktikë dhe kulturë për të dhënë dorëheqjen. I vetmi rast i një dorëheqjeje politike, dhe morale është ajo e Fatos Nanos. Që kurrsesi nuk mund të krahasohet me atë të Berishës, pasi ai vuri dikë të vetin aty, nuk u largua. Dhe tani është kjo PD, ky kryetar që reklamon të renë, kur ka manipulim dhe korrupsion brenda dhe nuk e njeh politikën e dorëheqjes. Asnjë nga këto standarde nuk njihen nga lideri i ri i PD-së, ai nuk është distancuar nga veprimet Berishës. Analistët tanë nuk merren me shqyrtimin e kësaj çështjeje, (për sa i përket dorëheqjes), por tërhiqen duke ia lënë në dorë gjykatës dhe nuk japin një mendim të tyrin por kanë gjetur shprehjen: “të shprehet gjykata”. Por gjykata nuk mund të vendosë dhe për përgjegjësitë morale, ajo mbledh fakte dhe më pas vendos. E kemi ngritur me kohë problemin e skandalit dhe situatës jofunksionale në bankë. Por duke pasur parasysh që një skandal i madh gjithnjë ka pasoja penale, dhe mendoj se duhet shoqëruar me akuza të qarta dhe ndëshkime ligjore. Por këto nuk mund ta bëjnë politikanët por ekspertët e fushës. Nuk është diçka që arrihet me sondazhe dhe protesta. Fullani duhet të shkarkohet dhe përgjegjësia të ndahet qoftë në mënyrë administrative apo në çdo mënyrë tjetër.
Berisha lejoi universitetet të shesin diploma, njësoj si firmat piramidale
Berisha lejoi universitetet të shesin diploma njësoj si firmat piramidale. Qeveria Rama së fundi i hoqi licencën dhe pezulloi disa prej universiteteve. Ju si ish-ministër i Arsimit si e shihni këtë iniciativë?
Reforma në arsimin e lartë duhet dhe është e nevojshme, por dhe kur mendohet se më parë ka pasur vetëm dy tre universitete, universiteti ka pasur shumë rëndësi, kërkesat kanë qenë më të larta dhe këtë e dëshmon dhe lëvizja studentore e cila i kishte idetë e qarta dhe kapacitetin e duhur për atë që donte. Por nuk mjafton vetëm dëshira për të pasur sa më shumë shkolla por duhet dhe kuadri i duhur për të përballuar këto prurje, si dhe për të plotësuar standardet e duhura. Hapja e shkollave të shumta është një mashtrim pasi nuk mund të kesh kuadrot e mjaftueshëm për një numër kaq të madh institucionesh arsimore, kemi të bëjmë me një disproporcion të kërkesës dhe të asaj që ofrohet.
Berisha në emër të liberalizimit i hapi rrugë hapjes së shkollave pa kritere, kritere këto që nuk janë plotësuar asnjëherë. Hierarkia e shkollave të larta duhet të funksionojë. Opinioni duhet të dijë se cila shkollë është më e mirë se tjetra. Rreshtimin sipas cilësisë e kanë vendet e përparuara dhe ne në këtë drejtim duhet të ndjekim modelin e tyre. Hapi që ka hedhur qeveria për mbylljen e universiteteve është sinjal për t’u vlerësuar. Berisha si me firmat piramidale dhe me arsimin ndoqi të njëjtin model. Në kohën e firmave piramidale ai që nuk kishte para bëri para dhe ai që kishte para, i humbi. Dhe me arsimin ai veproi njëlloj. Hapi universitetet dhe ai që nuk kishte dije, bleu diplomën, jo një por dy diploma dhe konkurronte atë që e kishte marrë diplomën me meritë.
Cili është qëndrimi i PSD-së për reformën Administrativo-Territoriale?
Nuk e kam kuptuar indiferencën e PD-së. Është e pajustifikueshme mbyllja e gojës nga deputetët e PD-së. Nuk e shpjegoj dot sjelljen e opozitës. Ndërsa për ndarjen territoriale që është miratuar, ajo është e ngjashme me ndarjen territoriale që kanë vendet fqinje, si Kosova dhe Maqedonia. Ndërkohë në Evropë funksionon rregulli i bashkive me numër të banorëve. Mesatarja është 9 mijë deri në 15 mijë banorë. Unë mendoj që Shqipëria duke qenë se është dhe një herë më e madhe se Maqedonia duhet të zgjidhte një ndarje me 120 bashki. Kjo do t'i përshtatej vendit.
Marrë nga 'Shekulli'
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)