Qeveria ka miratuar tarifat e reja për shërbimet elektronike të ofruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për administratën publike, subjektet private dhe qytetarët.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të kësaj të mërkure, ndryshe nga vendimi i mëparshëm i vitit 2020, në listën e pagesave për shërbimet nga e-Albania janë shtuar dy kategori të reja.

Konkretisht, qytetarët shqiptarë dhe të huaj që do të marrin shërbimin e nënshkrimit elektronik me vlefshmëri 1 vit, do të paguajnë 2 mijë lekë. Po kështu janë përfshirë në tarifa edhe nënpunësit e administratës publike por që punojnë në institucione me vetëfinacim, të cilët për të marrë shërbimin e nënshkrimit elektronik do të paguajnë 4800 lekë në vit.

Në vendimin e fundit qeveria ka lenë të pandryshuara tarifat për kategritë e tjera që marrin shërbime elektronike nga portali e-Albania.

Kështu për subjektet private; Nënshkrimi elektronik me vlefshmëri një vit, tarifa mbetet 4800 lekë, Vulosja e dokumentave me vulë elektronike, për cdo transaksion do të mbetet 20 lekë. Për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit tarifa vijon 4 mijë lekë në vit dhe  po kështu pagesa 15 lekë për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit(GG).

Do të vijojnë të mbeten me tarifë zero shërbimet që merren në E-Albania për institucionet publike për nënshkrimin elektronik, vulën elektronike, certifikatën elektronike për fiskalizimin dhe transaksionet në platformën qeveritare të ndërveprimit.

Pagesat do të kryhen on-line përmes portalit e-Albania, dhe të gjitha të ardhurat sipas VKM-së do të derdhen në buxhetin e shtetit.

AKSHI ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare dhe shfuqizon vendimin e vitit 2020.

TARIFAT E REJA PËR SHËRBIMET ELEKTRONIKE NGA AKSHI
 Për shtetasit shqiptar dhe të huaj
2000    lekë në vit për Nënshkrimin elektronik 
Për nënpunësit e administratës në institucionet me vetëfinancim
4800 lekë në vit për Nënshkrimin elektronik

 

SHËRBIMET ELEKTRONIKE ME TARIFA TË PANDRYSHUARA
Për subjektet private
4800 lekë në vit për Nënshkrimi elektronik
20 lekë Vulosje dokumentesh/transaksion
4000 lekë në vit për Certifikatë elektronike fiskalizimi
15 lekë Transaksion në platformën GG

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 36, të ligjit nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shërbimet elektronike, në favor të organeve dhe të institucioneve të administratës publike, subjekteve private dhe qytetarëve, ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.

2. Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, vulë kohore, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lek.

3. Për subjektet private, shërbimet elektronike për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG) ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijon:

a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;

b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;

c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për projektin e fiskalizimit, me afat vlefshmërie 1 (një) vit;

 ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).

4. Për shtetasit shqiptarë dhe shtetasit e huaj, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën                    2 000 (dy mijë) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.

5. Për nëpunësit e administratës në institucionet publike me vetëfinancim, shërbimi i nënshkrimit elektronik ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, me afat vlefshmërie 1 (një) vit.

6. Pagesa e tarifave të përcaktuara në këtë vendim kryhet në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin qeveritar “e-Albania”.

7. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “a” e “c”, të pikës 3, dhe të pikave 4 e 5, të këtij vendimi, realizohen në marrje të çdo shërbimi elektronik.

8. Pagesat e tarifave, të përcaktuara në shkronjat “b” e “ç”, të pikës 3, të këtij vendimi, realizohen periodikisht çdo muaj për numrin e transaksioneve të kryera gjatë asaj periudhe on-line nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”, si dhe kryerja e tyre shihet në kohë reale.

9. Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.

10. Vendimi nr.35, datë 22.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, shfuqizohet.

11. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA