Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i organizatës Lëvizja Evropiane në Shqipëri edhe ekspert për çështjet e integrimit, gjatë një interviste për Shqiptaren.com, sqaron se çelja e negociatave sjellë përfitime në nivelin politik dhe ekonomik.
Duke u ndalur tek niveli politik, Gjipali pohon se rekomandimi pozitiv rrit besueshmërisë së Shqipërisë dhe të politikës kundrejt partnerëve ndërkombëtarë. Sa i takon elementit ekonomik, çelja e negociatave ndryshon imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke ndikuar pozitivisht tek investitorët e huaj, për të investuar në vendin tonë.
- Z. Gjipali, çfarë përfiton Shqipëria në planin politik dhe ekonomik nëse Këshilli i Ministrave të BE zyrtarizon në dhjetor çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Mund të theksoj dy elemente. Elementi i parë është përfitimi në nivel politik, pra rritje e besueshmërisë së Shqipërisë kundrejt partnerëve ndërkombëtarë. Pra, rritje e besueshmërisë në tërësi, e të gjithë klasës politike, meqenëse partnerët ndërkombëtar janë të zhgënjyer nga politikanët shqiptarë, të cilët kanë premtuar shumë dhe pak kanë realizuar. Kjo ka sjellë edhe një vonesë të procesit të integrimit evropian përpara etapave të ndryshme dhe të rëndësishme që kemi pasur. Në këtë rast, çelja e negociatave rrit besueshmërinë, ndryshe nga çka ndodhur më parë. Elementi i dytë është ai i interesit ekonomik. Sa i takon fondeve të Bashkimit Evropian nuk ka ndonjë ndikim sepse fondet janë paracaktuar që më parë dhe nuk ka më dallim midis vendeve që kanë hapur negociatave dhe vendeve që kanë marrë statusin apo jo.
-Komisioneri Hahn foli për investime në fusha të ndryshme, për të krijuar vende pune më të shumta dhe më të mira....
Deklaratat e komisionerit qëndrojnë, por nuk kanë lidhje drejtpërdrejt me hapjen e negociatave, sepse janë parashikuar tashmë që në vitin 2013, me programin e ri financiar IPA 2014-2020. Sa i takon aspektit ekonomik, ka të bëjë sërish me imazhin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, çka ndikon tek investitorët e huaj. Duke parë qëndrueshmërinë e Shqipërisë dhe avancimin në procesin e integrimit evropian, që është një certifikim i arritjeve në ndërtimin e shtetit ligjor, në zhvillimin e ekonomisë së lirë të tregut etj., të gjitha këto ndikojnë që investitorët e huaj t’a shohin Shqipërinë me një sy më pozitiv dhe të kenë më shumë interes për të ardhur në Shqipëri, për të investuar. Është në kuadër të imazhit pozitiv që ka sjellë anëtarësimi në NATO dhe marrja e statusit të vendit kandidat. Këto janë dy elementet kryesorë.
-Si ndikon procesi i negociatave në kontrollin dhe vëzhgimin e politikës dhe institucioneve nga ana e BE?
Pjesa e vetë negociatave dhe avancimit të procesit ndikon tek rritja e përgjegjshmërisë së administratës shqiptare, kontrollit më të afërt nga Bashkimi Evropian të reformave në Shqipëri etj. Që të gjitha këto elemente janë pozitive për shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, të cilët mbështesin procesin e integrimit evropian në masë shumë të madhe. Sa i takon luftës kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, edhe këto elementë, të cilët janë pjesë e prioriteteve dhe që konsiderohet të plotësuara mjaftueshëm për të hapur negociatat, do të kenë një monitorim më të afërt dhe më të detajuar nga Komisioni Evropian dhe vendet anëtare. Kjo do të thotë se do të kërkohet gjithnjë e më shumë nga Shqipëria për të prodhuar rezultate në këtë fushë. Pra, jo vetëm miratim legjislacioni dhe strategjish, por konkretisht do të duhen rezultate në fusha të tilla të rëndësishme. Do ketë gjithashtu një rritje të intensitetit të marrëdhënieve mes Shqipërisë me Bashkimin Evropian që do të ndikojë drejtpërdrejt, pozitivisht, në cilësinë e reformave në Shqipëri. Edhe Serbia dhe Mali i Zi kanë intensifikuar marrëdhëniet me BE pikërisht për shkak të hapjes së procesit të negociatave. Është e rëndësishme që të mbahet ritmi i reformave, veçanërisht i reformës në drejtësi, sepse nuk mund të kemi një vendim pozitiv nga Këshilli në dhjetor nëse nuk përfundojmë ato detyra, të cilat tashmë janë nisur, pra përfundimi i paketës ligjore të reformës në drejtësi dhe ajo çka është më e rëndësishme zbatimi i saj, sidomos zbatimi i ligjit të Vetingut, i cili është prekur konkretisht edhe nga deklaratat e komisionerit Hahn dhe në progres-raport.
-Vendimi përfundimtar do të merret në dhjetor. Është një kohë shumë e shkurtër për të parë rezultate në zbatimin e ligjit të Vetingut, aq më tepër që ligji po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Çfarë skenarësh parashikoni? Mund të ketë shtyrje të vendimmarrjes?
Po, qëndron. Siç ka ndodhur edhe më parë, Këshilli mund ta shtyjë procesin, për të marrë një vendim në momentin që Shqipëria ka filluar zbatimin e ligjit të Vetingut dhe janë treguar rezultatet e para të reformës në drejtësi. Ka disa opsione për mbledhjen. Mund të mblidhet edhe pas gjashtë muajsh, por edhe pas një viti. Por, nuk duhet harruar se këtu ndikojnë edhe zgjedhjet parlamentare, ku nuk do të kishte një vendim të rëndësishëm para zgjedhjeve parlamentare.
Skenarët
Siç ka ndodhur edhe më parë, Këshilli mund t’a shtyjë procesin, për të marrë një vendim në momentin që Shqipëria ka filluar zbatimin e ligjit të Vetingut. Ka disa opsione për mbledhjen. Mund të mblidhet edhe pas gjashtë muajsh, por edhe pas një viti.
Investimet
Sa i takon aspektit ekonomik, ka të bëjë sërish me imazhin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, çka ndikon tek investitorët e huaj. Duke parë qëndrueshmërinë e Shqipërisë, ndikon që investitorët e huaj t’a shohin Shqipërinë me një sy më pozitiv.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com