Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka zhvilluar një tur takimesh dhe vizitash në qytetin e Gjirokastrës të cilat kanë patur në qendër promovimin e trashëgimisë kulturore. Ai ka qenë i ftuar nga Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës, një OJQ lokale që merret me trashëgiminë kulturore. Arvizu mes të tjerash ka shprehur angazhimin e palës amerikane për restaurimin dhe rijetëzimin e tyre me qëllim vendosjen në zhvillim të turizmit. Në vizitën e zhvilluar në Kalanë e Gjirokastrës, Arvizu ka vizituar një vendstrehim të Luftës së Ftohtë, të periudhës komuniste. Vendstrehimi i gjithi prej betoni është hapur tashmë për publikun e turistët, dhe përgatitur një projekt nga organizata të shoqërisë civile që synojnë përdorimin e tij për qëllime turistike. Arvizu ka shprehur mbështetjen për projektin që synon t’a kthejë këtë vendstrehim në një muze të Luftës së Ftohtë dhe reflekset e saj në Shqipëri e Gjirokastër me qëllim tërheqjen e vizitorëve dhe grupeve turistike, por edhe për edukimin dhe informimin e brezit të ri për periudhën e Luftës së Ftohtë. Më pas ambasadori Arvizu ka vizituar galerinë e gurtë në mjediset e Kalasë së qytetit ku do të çelet së shpejti Muzeu i ri i Gjirokastrës. Autorët e projektit e njohën ambasadorin Arvizu me punën e bërë për restaurimin e galerisë, për të cilën ka kontribuar me mbështetje financiare edhe ambasada amerikane në Tiranë. Ky muze që është nismë e GCDO mbështetur nga Bashkia e Gjirokastrës, synon që të pasqyrojë për vizitorët, turistë apo edhe brezin e ri të qytetit, traditën e pasur të qytetit dhe të luginës së Drinos përgjatë 2000 vjet histori deri në ditët e sotme. Njëkohësisht kjo hapësirë do përdoret edhe si hapësirë për aktivitet të tjera kulturore. Nëse njerëzit do të fokusoheshin me shumë, do të përqëndroheshin më shumë në traditën e pasur dhe trashëgiminë që e bënë këtë vend dhe këtë popull kaq të veçantë, atëherë do të ishte tejet e qartë që në fakt nuk ka një përputhje të duhur mes madhështisë së njerëzve dhe cilësisë së politikës që ata po marin përkundër-ka pohuar ambasadori Arvizu gjatë fjalës së tij. Në këtë drejtim ai ka përmenduar kontributin e dhënë nga ambasada amerikane në Tiranë për mbështjen e trashëgimisë kulturore duke financuar nëpërmjet fondit të ambasadorit 8 projekte në këtë drejtim. Ruajtja e trashëgimisë kulturore, ka vijuar ai, jo vetëm që siguron vazhdimësinë për brezat e ardhshëm, por gjithashtu mund të sjellë përfitime të menjëhershme pasi tërheq investime për turizmin dhe zhvillimin e biznesit. Është kjo trashëgimi kulturore e pasur, ndjesia e krenarisë dhe ndjesia e arritjeve që do t’ia mundësojë Shqipërisë të përmbushë potencialin e saj. Nuk janë në fakt diskutimet që zhvillohen në Parlament, në Komisionin e Ligjeve dhe nuk janë këto takime të vazhdueshme, të pafundme në Bruksel, por do të jetë ajo që çdo shqiptar, do të bëjë në vetvete në mënyrë që kjo shoqëri të jetë më kohezive, më e fortë si e tillë-përfundoi Arvizu.
(p.n/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(p.n/shqiptarja.com)











