GJIROKASTER - Në Qarkun e Gjirokastrës janë evidentuar qindra shkelje në listat e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Drejtoria Rajonale e shërbimit Social Shtetëror ka hequr nga lista mbi 180 familje, që trajtoheshin abuzivisht nga njësitë vendore me ndihmë ekonomike, ndërkohë që kishin dhe biznes. Për kreun e kësaj drejtorie Taqi Mejdi, nga lista e trajtimit ekonomik, njësitë vendore kanë hequr në mënyrë të paturpshme dhe kanë vendosur familje të këshilltarëve komunalë apo bashkiakë.

“Tek kjo skemë janë shtuar familje që kanë ardhur nga emigracioni. Këto 180 familje kanë hyrë në skemën e ndihmës sociale me abuzim pasi janë familje që nuk u takon. Mund të them që janë familje që nuk jetojnë fare këtu, por janë jashtë shtetit. Madje mund t’iu them që janë dhe anëtarë të këshillit bashkiak që marrin ndihmë ekonomike”, deklaroi Taqi Mejdi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror në Gjirokastër.

Në Qarkun e Gjirokastrës, trajtohen me ndihmë ekonomike, 2623 familje prej të cilave 1158 përfitojnë ndihmë të pjesshme.

(eç/shqiptarja.com)