GJIROKASTER-  Dy zyrtarë vendorë të qarkut të Gjirokastër janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Policia e këtij qarku informon se në kuadër të operacionit të koduar “Asistenca”, është arrestuar Shefi i Zyrës së Përkrahjes Sociale në Bashkinë Këlcyrë, Elidon Beqiri dhe Shefi i Zyrës së Punës në Përmet, Erald Ristani. Ata akuzohen se prej 5 vitesh në bashkëpunim dhe me disa persona të tjerë kanë përfituar asistencë sociale në mënyrë të paligjshme shuma e të cilës arrin mbi 2 milionë lekë të reja.

Në gjendje të lirë ndiqet specialistja e e zyrës së Përkrahjes Sociale të Bashkisë Këlcyrë Floresha Shahu për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si dhe 5 shtetas të tjerë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asistencë sociale për 5 vjet rresht nga fondet e shtetit që i akordoheshin Bashkisë Këlcyrë për të papunët.

Policia vijon hetimet pasi ka edhe një numër të kosiderushem shtetasish të tjerë që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asistencë sociale nga fondet që i akordoheshin Bashkisë Këlcyrë. Operacioni u zhvillua nga Sektori Kundër Krimit Finaciar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.

KUSH MERRTE ASISTENCËN

Sipas policisë tre persona përfitues të asistencës sociale ishin të punësuar në firmën ‘Flutone”, Gurrore në Këlcyrë dhe firma u kishte paguar sigurimet shoqërore çdo muaj. Ndërsa dy shtetas të tjerë prej vitesh figuronin emigranë në Greqi dhe nuk dihet se kush i përfitonte këto lekë në emër të tyre.

”Nga verifikimet e bëra rezultoi se shtetasi Erald Ristani me detyrë shefi i Zyrës së Punës në Përmet ka lëshuar vërtetime për të 5 këta shtetas që janë të papunë për këtë periuhdë koher prej 5 vitesh. Ndërkohë Zyra e Përkrahjes Sociale në Bashkinë Këlcyrë në bazë të ligjit duhet të bënte verifikmet çdo muaj me sigurimet shoqërore , të cilën nuk e ka kryer .”- informon zëdhënësi i shtypit i Gjirokastrës Gentian Mullai. Policia dyshon se nga bashkia e Këlcyrës mund të kenë përfituar asistencë sociale të paligjshme mbi 50 persona.

TË ARRESTUARIT
Elidon Beqiri, i datëlindjes 1986, lindur dhe banues në Këlcyrë, me detyrë Shef i Zyrës së Përkrahjes Sociale në Bashkinë Këlcyrë.
Erald Ristani, i datëlindjes 1985, lindur dhe banues në Përmet, me detyrë Shef i Zyrës së Punës në Përmet.
Ata akuzohen për “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim”. Si dhe është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim ”, dhe ndiqet në gjendje të lirë për shkak të gjendjes së rëndë shëdetësore kohët e fundit Specialistja e Zyrës së Përkrahjes Sociale në Bashkinë Këlcyrë Floresha Shahu . Gjithashtu janë proceduar dhe ndiqen penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të “Vjedhje me anë të mashtrimit , kryer në bashkëpunim” tre shtetasit F.XH, A.B, G.B, që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme asistencë sociale , ndërsa për dy shtetasit e tjerë që aktualisht janë emigrantë në Greqi dhe rregullisht çdo muaj prej 5 vitesh kanë marrë asistence sociale po punohet për të zbardhur nëse lekët e përfituara i kanë marrë këta dy shtetas apo i kanë përfituar punonjësit e zyrës së përkrahjes sociale në Bashkinë Këlcyrë.

(sg/shqiptarja.com)