GJIROKASTER - Kur gjen rripin me gjithë bicak. Kjo është shprehja tradicionale në fshatin “Asim Zeneli” në rrethin e Gjirokastrës, e cila përdoret rëndom në rastet kur “shpërblehesh” për ngacmimet ndaj një femre, aq më tepër e martuar. Katër persona janë plagosur në orët e para të së premtes në fshatin “Asim Zeneli” 7 km në lindje të qytetit të Gjirokastrës. Dy prej të plagosurve Panajot Xharahu 19 vjeç dhe Erjon Krisafi 24 nga fshati Krinë, ishin personat të cilët ranë “viktimë” e hakmarrjes për një ngacmim seksual në adresë të një gruaje të martuar.

Burri i 21-vjeçares S.K. Oskeol Hitaj 25 vjec nga fshati “Asim Zeneli”, vuri “nderin” në vend, teksa plagosi jo një herë brenda 120 minutash dy të rinjtë e lartpërmendur. Si Krisafi dhe Xherahu të shtyrë nga sinjalet e përcjella në distancë nga gruaja e Oskeolit ditë më parë gjatë një shëtitje në fshat, u shtynë t’i hynin një aventure që kishte për qëllim, plotësimin e kënaqësive ndjesore momentale pse jo dhe raporte të dyfishta. Dy të rinjtë zgjodhën orën 01:00 të së premtes t’i shkonin gruas së Oskeolit në shtëpi, për t’a joshur me bukurinë trupore pse jo dhe me ndonjë detaj të rëndësishëm. Por ata kanë gjetur, siç i thonë në fshat, “rripin me gjithë biçak” pra reagimin e menjëhershëm të të shoqit të bukuroshes 21-vjeçare.

I shoqi i kësaj të fundit pasi ra në gjurmë të ngacmimeve jashtë shtëpisë dhe serenatave për të shoqen, nuk duroi dhe rrëmbeu çiften duke shtënë në drejtim të dy të rinjve Krisafi e Xherahu të cilët ranë përtokë nga goditja e saçmeve të çiftes në këmbë. Ashtu të gjakosur, ata janë tërhequr zvarrë nga Oskeoli brenda shtëpisë dhe kanë dhënë “llogari” para tij dhe të shoqes, për ngacmimet që mesa duket, ishin bërë të padurueshme për 24-vjeçarin.

Pasi janë mbajtur peng nga Oskeoli, ky i fundit u ka marrë dokumentet e mjetit me të cilin qarkullonin dhe kartat e identitetit me argumentin se kjo çështje do të sqarohej të nesërmen, pasi të shkonin në shtëpitë e tyre. Ashtu këmba-dorazi, Xherahu dhe Krisafi, kanë dalë nga shtëpia e Oskeol Hitaj për të shkuar në spital por pa pasur çelësat e makinës së tyre, pasi ato u administruan nga pengmarrësi Hitaj. Dy të rinjtë donzhuanë, kanë kërkuar ndihmën e një shoferi të furgonit në fshat për t’i transportuar drejt spitalit të Gjirokastrës pasi hemorragjia nuk kishte të ndalur.

Ai që mori përsipër transportin e tyre drejt spitalit të Gjirokastrës, ishte Sokol Hysaj 50 vjeç dhe i biri i tij Lato Hysaj. Mirëpo hakmarrja e të shoqit të gruas së bukur, nuk mbaroi këtu, pasi kërkonte që dy të rinjtë, të vuanin për atë që kishin bërë dhe rrjedhimisht, u pendua që i kishte lëshuar. Menjëherë, hyri brenda në shtëpi dhe rrëmbeu kësaj radhe jo armën e gjahut, por kallashnikovin ku e shkrehu në drejtim të furgonit me katër veta brenda. Plumbat e dala nga tyta e automatikut, kanë prekur të gjithë furgonin dhe plagosur për të dytën herë dy të rinjtë dhe për të parën herë drejtuesin e furgonit dhe të birin e tij.

I riu Hitaj, kërkonte me çdo kusht, vdekjen e ngacmuesve të së shoqes ndaj agresiviteti i tij kundrejt Xherahut dhe Krisafit, “shpërbleu” me plumba dhe ndihmësit e tyre babë e bir Sokol dhe Lato Hysaj. Kjo ngjarje ngriti në këmbë gjithë fshatin për shkak të krismave. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ku kanë parë të lënduar të katër personat brenda në furgon dhe menjëherë i kanë transportuar për në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës.

Gjendja e dy të rinjve po rëndohej edhe më tepër ndonëse trajtimi mjekësor nuk u mungoi dhe për këtë, u transportuan për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për ndërhyrje më të specializuar kirurgjikale, ndërsa i jati me të birin, ndodhen për rikoverim mjekësor në Spitalin e Gjirokastrës. Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar armën e gjahut të Oskeol Hitaj ndërsa ky i fundit së bashku me automatikun kallashnikov, është larguar në drejtim të paditur.

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar Rakip Hitaj, pasi në përfundim të veprimeve të para hetimore, rezultoi se ky shtetas ka plagosur fillimisht me armë gjahu çifte, 24 vjeçarin Erion Krisafi si dhe 19 vjeçarin Panajot Xharau.

(pn/shqiptarja.com)