Gjirokastër- Dhuna në familje është rritur përgjatë këtij viti në qarkun e Gjirokastrës dhe kjo konfirmohet prej statistikave të Policisë Vendore.
Sipas të dhënave që Report TV ka siguruar zyrtarisht, prej janarit të këtij viti dhe deri në nëntor, janë plotësuar 53 kërkesë-padi.
Nuk janë vetëm gratë ato që denoncojnë dhunën, por edhe burrat. Ka disa raste që ish-bashkëshortët kanë kërkuar urdhër-mbrojtjeje prej Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër, pasi janë ndjerë të rrezikuar ndaj dhunës që kanë ushtruar ish-bashkëshortet.
Sipas psikologes Loreta Mamani, gratë abuzojnë dhe me të drejtat që kanë përfituar nga ligjet në fuqi.
Sipas psikologes, shpesh-herë dhuna e përjetuar nuk denoncohet. Kjo pasi të dhunuarat kryesisht gratë, fëmijët, të moshuarit, gjykojnë që këto eksese familjare, t’i mbajnë të kyçura brenda katër mureve të shtëpisë.
Faktorët që nxisin dhunën në familje janë të shumtë, përfshirë mentalitetin patriarkal, varfërinë ekonomike dhe mungesën e edukimit për të drejtat e njeriut. Shërbimet për mbështetje shpesh janë të pamjaftueshme, duke lënë gratë dhe të moshuarit pa mbrojtje psikologjike dhe juridike.