GJIROKASTER - Prokuroria ka nisur një procedim penal për shpërdorim detyrë për dy zyrtarë të Bashkisë Gjirokastër për pallatin 5-katësh në lagjen "Punëtori" që rrezikon të shembet dhe të lërë në qiell të hapur 15 familje.  

Zyrtarët e paditur janë Vullnet Tola, përgjegjës i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) dhe Aleksandër Pesha inxhinier në zyrën e bashkisë. Akuza që rëndon ndaj zyrtarëve të bashkisë është ajo e mosmbikëqyrjes së punimeve të objektit dy katësh disa metra poshtë pallatit, që u bë shkak për rrëshqitjen e dherave.

Gërmimet e bëra për ndërtimin e këtij objekti, dyshohet të jenë shkaku për çarjen e tokës dhe për rrjedhojë plasaritjen e mureve të pallatit, duke e bërë atë në gjendje të pabanueshme për shkak të rrezikut të shembjes. 

15 familjet që jetojnë në këtë pallat janë sistemuar te të afërmit e tyre dhe në hotele, ndërsa zona ku ka rrëshqitje dheu është rrethuar si pikë rreziku. Familjet e këtij pallati rrezikojnë të mbeten të pastrehë, ndërkohë që mbeten në pritje të raportit të Institutit të Gjeologjisë se çfarë do të bëhet me tokën që rrëshqet vazhdimisht. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com