GJIROKASTER - Bariu 21 vjeçar, i cili u gjet i vdekur dje (25 gusht) në fshatin Velere të Gjirokastrës, nuk është asfiksuar por është vrarë. Është kjo deklarata e sotme e policisë, e cila njëkohësisht ka arrestuar edhe autorin e krimit. Bëhet fjalë për 19 vjeçarin, Xhevat Dudumi, i cili ka vrarë me armë gjahu bariun Haki Manaj nga fshati Buz i rrethit të Tepelenës dhe më pas i ka vënë zjarrin kullotës për të fshehur gjurmët.

Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur për çështje të territorit të kullotës. Agresori i ka kërkuar viktimës së tij që të largohej nga territori i kullotës ku qëndronte pranë lumit Drino. Bariu 21 vjeçar ka kundërshtuar dhe si pasojë Xhevat Dudumi ka qëlluar me çifte ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas shtetasi Xhevat Dudumi, e ka mbështjellë me plasmas trupin e shtetasit Haki Manaj dhe i ka vënë zjarrin barërave dhe ferrave me qëllim humbjen e gjurmëve duke menduar se viktima do digjej nga zjarri.

Dje policia dha versionin paraprak se bariu Haki Minaj humbi jetën si pasojë e asfiksisë, ndërsa sot pas ekspertizës mjeko-ligjore në spitalin Rajonal të Gjirokastrës, rezultoi se viktima ka humbur jetën si pasojë e vrasjes me armë gjahu dhe jo nga asfiksia.

(Gre.M/Shqiptarja.com)