GJIROKASTER - Kufiri jugor i Shqipërisë rezulton të jetë kthyer në një pikë të rëndësishme të trafikut klandestin të shtetasve me origjinë kryesisht nga Lindja e Mesme.

Në shtatë muajt e fundit, nga kufiri me Greqinë kanë hyrë në territorin shqiptar në mënyrë të jashtëligjshme afro 600 persona. Sipas të dhënave, në 90% të rasteve ata i përkasin Lindjes së Mesme e në veçanti, Sirisë, Algjerisë dhe Egjiptit.

Drejtori i Policisë Kufitare të Qarkut të Gjirokastrës Thimi Remaçka sqaron për A1 Report se rastet e paraqitura janë trajtuar konform legjislacionit në fuqi, në bashkëpunim me autoritetet greke dhe ato të origjinës.

Sipas raporteve të policisë rezulton se trafiku klandestin në Gjirokastër është pesëfishuar në raport me vitin e kaluar. Deri tani sipas Remackas, personat që kalojnë klandestinët e huaj procedohen vetëm në gjendje të lirë.

Sipas të dhënave nga Policia kufitare e Qarkut, trafiku klandestin ka për organizatorë një grup solid që operon në Athinë dhe që shtrihet në Shqipëri.

(Gre.M/Shqiptarja.com)