Edhe këtë vit Gjirokastra dhe rrethinat e saj përbëjnë një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit dhe aventurës në vend. Kalaja e Gjirokastrës, Parku i Antigonesë, mbeten dy prej atraksioneve më shumë të pëlqyera për turistët e huaj dhe ato vendas. Të ardhur nga vende të ndryshme të botës si Italia, Republika Ceke, Izraeli, Polonia madje Kina dhe Japonia e largët, vizitorët shprehen të mrekulluar nga gjithçka që Shqipëria dhe qyteti i Gjirokastrës ofron. Ata shprehen se natyra dhe bukuria e vendit tonë do ti ktheje sërish këtu.
"Jam turiste italiane dhe është hera e parë që vij në Shqipëri. Të them të drejtën ka qenë një surprizë e vërtetë sidomos në profilin e plazhit, deti ka qene i mrekullueshëm i bukur. Kjo është një zonë antike por na ka entuziazmuar për karakteristikat dhe bukuritë që ka. Gjirokastra është shumë e veçantë e bukur, njerëzit janë shumë të këndshëm dhe të dashur." shprehet një nga turistët.
"Është hera e parë që vizitoj këtë vend. Është një vend tipik. Shqiptarët më pëlqejnë. Ushqimi gjithashtu më ka pëlqyer. Natyra dhe pjesa e vjetër e qytetit do të më bënin të rikthehesha sërish sepse vendi këtu është shumë i bukur. Unë jam fotograf dhe më pëlqen këtu." tha turisti.
"Jam nga Republika Ceke dhe është hera e parë që vizitoj këtë qytet. Cdo gjë në Gjirokastër më pëlqen. Sa i takon njerëzve mendoj se janë shumë miqësorë. Këtu kam provuar vetëm kafen" tha një tjetër turist.
"Jam nga Izraeli dhe është hera e parë që vizitoj Gjirokastrën. Kështjella është shumë e bukur dhe atmosfera gjithashtu. Njerëzit këtu na kanë ndihmuar shumë, janë shumë miqësorë. Kënaqësi të jem këtu" u shpreh një izraelit.
"Njerëzit janë shumë të mrekullueshëm, këndshëm dhe e kemi shijuar këtë udhëtim veçanërisht prej tyre. Edhe unë jam nga Izraeli. Historia është shumë e veçantë, ka vende specifike." tha një turist tjetër.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vasil Polo shprehet se Gjirokastra këtë vit ka më pak turistë se një vit më parë.
Vetëm për pjesën e parë të viti 2019 qyteti antik i Gjirokastrës është vizituar nga 35 870 turistë vendas dhe të huaj.