Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ndarë një postim në rrjetet sociale me pamje të Tiranës. Ai e ka drejtuar kamerën nga Mali i Dajtit i mbuluar nga dëbora, pamja e të cilit më pas ndërpritet nga një prej ndërtesave të larta të kryeqytetit.

Në shkrimin që shoqëron videot, ai shkruan se po bëhet gjithnjë e më rrallë që të shijosh këto pamje, pasi është e mundur ta shohësh vetëm nga tarracat e pallateve. “Është e pakthyeshme”, shprehet Braçe.

“Tirana e madhe,

Në një qytet me malin pranë, unë dua të shoh malin, veçanërisht në rastin e rrallë me dëborë;

Ashtu siç në një qytet me det, unë dua të shoh detin, veçanërisht kur vjen me tërsëllëmë të pastrojë brigjet;

Tiranë ka gjithnjë e më pak kënde të shohësh malin dhe bukurinë e tij, veç nga tarracat e pallateve;

Është e pakthyeshme kjo, duhej menduar kur ndërtohej!

Shihe sa bukur është!”, përmbyllet postimi.