Vetëvrasja me fostoksinë e një vajze 25-vjeçare, Xhuana Nikolli, në një banesë në Tiranë ku jetonte me motrat e saj, është rrethuar nga misteri, dhe një hetim ka nisur për të zbuluar çfarë e shtyu drejt këtij akti. Prindërit e të resë nga Lezha, bëjnë fajtor ish-bashkëshortin e vajzës, që sipas tyre, e ka dhunuar duke e shtyrë t’i japë fund jetës. 25-vjeçari Eraldo Fizi u shpall në kërkim. Ai dyshohet se u riktheu nga jashtë shtetit më 9 mars, dhe i shkoi në banesë ish-bashkëshortes, ku ka dyshime të forta se ka ushtruar dhunë barbare. Xhuana Nikolli u vetëvra një ditë më pas, mëngjesin e 10 marsit dhe i la një letër prindërve.
***
Verën e vitit 2025, në qershor, Xhuana Nikolli dhe Eraldo Fizi kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë. Çifti i ri, sipas burimeve për Report Tv, nisën jetën në Lezhë. As 3 muaj nuk zgjati lumturia mes tyre, dhe dy të rinjtë e së njëjtës moshë, 25-vjeçarë, u divorcuan pas konflikteve të vazhdueshme gjatë bashkëjetesës. Nuk dihet nëse në 3 muajt e martesës, ka pasur edhe historik të dhunës në familje. Ajo që dihet deri më tani përmes burimeve policore, është se një denoncim në polici nga Xhuana Nikolli se dhunohej nga bashkëshorti i saj, nuk ka pasur. Pas ndarjes, e reja la qytetin e saj, Lezhën, dhe erdhi të jetojë me motrat në Tiranë. Nuk ka ende informacione se çfarë rrugëtimi mori jeta e Eraldo Fizit. Ajo që dihet, është se më 9 mars të këtij viti, ai u kthye nga jashtë shtetit. Nuk dihet po ashtu nëse jetonte larg Shqipërisë apo ishte një udhëtim rastëror. Me kokën pas për atë që kishte humbur, 25-vjeçari i ka shkuar në shtëpinë në Tiranë ish-bashkëshortes së tij.
Burimet thonë se i riu është përballur sërish me refuzim, dhe ka dyshime se mund ta ketë dhunuar Xhuana Nikollën, me gjasë, e vetme në banesë dhe pa motrat e saj. Shenjat në trup ishin shumë pak përballë gjendjes së rënduar psikologjike që i shkaktoi ky episod. 25-vjeçarja nisi të shkruajë një letër. Mes rreshtave, burimet thonë se vajza shkruante se nuk donte t’i bënin më keq ata njerëz që i kanë bërë keq. Letrën e mbyll me një ndjesë për nënën dhe babanë e saj.
Nën këtë rëndesë psikologjike, ndoshta me lëngimin e goditjeve nga ish-bashkëshorti, në orët e hershme të mëngjesit të 10 marsit, Xhuana Nikolli, piu fostoksinë. Hetuesit do të punojnë edhe për të zbuluar ku e siguroi e reja këtë lëndë të ndaluar. Nuk dihet se kush ishte personi i parë që e pa në këtë gjendje, por mëngjesin e 10 marsit, vetëm 1 ditë pasi ish-bashkëshorti i trokiti në derë, 25-vjeçarja mbërriti pa shenja jete në QSUT. Trupi i saj i pajetë iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, dhe përgjigjja e saj do të nxjerrë shkakun zyrtar të vdekjes dhe gjurmët reale të dhunës.
Burime nga policia, thanë për Report Tv se në këqyrjen paraprake të trupit të pajetë të vajzës së re, shenjat e dhunës ishin të dukshme në kokë, fytyrë dhe në njërin krah.
Me dhimbjen që vështirë të shërohet të humbjes së një fëmijë, prindërit e Xhuana Nikollës iu drejtuan komisariatit numër 2 në Tiranë dhe bënë një kallëzim ndaj ish-dhëndrit të tyre. Për ta, është dhuna fizike që ai ushtroi ndaj vajzës, që e detyroi 25-vjeçaren të çojë ndërmend aktin ekstrem të vetëvrasjes.
Blutë nisën menjëherë kërkimet për ta arrestuar Eraldo Fizin, por deri më tani nuk e gjetën dhe e shpallën në kërkim nën dyshimin për 2 vepra penale, “Dhunë në familje” dhe “Shkaktim i vetëvrasjes”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Familja e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë pas dhunës së pretenduar nga ish-bashkëshorti, ka hapur dyert e mortit.
Ceremonia mortore po zhvillohet në vendlindjen e saj, në Shëngjin. Të afërmit dhe familjarët, të tronditur nga humbja e të resë, nuk kanë pranuar të flasin për mediat, duke ia lënë gjithçka në dorë drejtësisë. 25-vjeçarja do të përcillet për në banesën e fundit te enjten, e 12 marsit.
Ndërkohë, Policia e Shtetit, përmes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në koordinim me Policinë e Tiranës, ku ka ndodhur ngjarja, vijon kontrollet për kapjen e ish-bashkëshortit të saj, Eraldo Fizi.
Ai është shpallur në kërkim nga policia për veprat penale “dhunë në familje” dhe “shkaktim vetëvrasjeje”.
----------------------------------------------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente











Trishtim i madh te perfundoje keshtu jeta e nje vajze te re. Nuk thuhet gje nese ishte e arsimuar dhe nese ishte e punesuar.Me vjen keq.
Përgjigju