Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, ka ngritur shqetësimin për rregulloren e re të miratuar nga Gjykata e Posaçme, e cila parashikon kufizimin e të drejtës së gazetarëve, por edhe të kamerave, për të qenë prezentë në sallën e gjyqit.
Duke folur për Report Tv, Myzyraj tha se hartuesit e kësaj rregulloreje duhet të ishin konsultuar më parë me aktorët e interesuar, gazetarët dhe organizatat e gazetarëve.
“E para që është problematike është mënyra si është hartuar kjo rregullore. Fatkeqësisht institucionet tona janë me një mendësi shumë të vjetër, ku thjeshtë hartojnë rregullore pa u konsultuar me aktorët e interesuar. BE dhe të gjitha institucionet serioze e kanë si pikë kryesore të tyre se çdo akt që nxjerrin duhet të konsultohen me aktorët që preken nga akti i tyre. Gjykata e Posaçme duhet të ishte konsultuar me gazetarët dhe me aktorët e medias, organizatat që mbrojnë gazetarët dhe lirinë e shtypit, për këtë rregullore që është miratuar”, tha mes të tjerash Myzyraj.
Më tej Myzyraj theksoi se me rregulloren e re, gazetarëve u bëhet një kufizim i jashtëzakonshëm për të marrë pjesë në gjykatë.
Sipas Myzyrajt, në Shqipër po zhvillohen gjyqe historike dhe qytetarët kanë të drejtë të informohen për gjithçka në seancat gjyqësore.
Ai shtoi gjithashtu se duke mos-lejuar kamerat apo celularët gjatë seancave, gazetarët e kanë të pamundur të ndjekin proceset gjyqësore.
“E dyta është kufizimi i jashtëzakonshëm që i bëhet aksesit të gazetarëve në gjykatë. Duhet ta marrim në kontekstin ku ne ndodhemi në Shqipëri aktualisht. Në Gjykatën e Posaçme janë duke u mbajtur gjyqe historike për shtetin shqiptar. Gjyqe që do të përcaktojnë jetën politike në të ardhmen dhe do të tregojnë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Padyshim qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të informohen mbi gjithçka që ndodh në ato procese gjyqësore. Dhe sigurisht pa praninë e gazetarëve, apo me praninë e gazetarëve me mjete të kufizuara, pra pa një telefon që të raportohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, është e pamundur që të ndiqen proceset gjyqësore në Gjykatën e Posaçme”, shtoi Myzyraj.
Në përfundim Myzyraj, në emër të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, i bëri thirrje Gjykatës së Posaçme për ta pezulluar hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje në 1 shtator dhe të kalohet në një proces diskutimi të hapur me gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.
“Ndaj kjo rregullore është mjaft problematike. Ne kemi kërkuar dhe përmes ekranit i bëjmë thirrje Gjykatës së Posaçme për ta pezulluar hyrjen në fuqi në datën 1 shtator të kësaj rregulloreje dhe të kalohet në një proces diskutimi të hapur me gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile”, përfundoi Myzyraj.
Lajmi kryesor:
GJKKO censurë mediave, shoqatat e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit në unison kundër rregullores së re: Shihemi si kërcënim, nëse s’tërhiqeni ankohemi në KiE










