TIRANË- Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku është rrëzuar edhe në Gjykatën e Lartë dhe masa e caktuar ndaj saj, “ndalim i daljes jashtë shtetit” mbetet në fuqi. Ishte treshja e gjyqtarëve Ilir Panda, Gent Shala dhe Albana Boksi që vendosën rrëzimin e rekursit dhe me këtë vendim pasaporta e Ballukut mbetet e bllokuar, që prej 19 nëntorit me vendim të GJKKO-së. Në tetor 2025, Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë me tenderin e Tunelit të Llogarasë, është person nën hetim edhe për 7 lotet e Uanzës së Madhe, si edhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë.

Gjykata e Lartë rrëzoi edhe ankimin e ish-kreut të KESH, Erald Elezi, i cili mbetet në masën arrest shtëpie, i akuzuar për shkelje të barazisë në tenderë në Tunelin e Lloagarsë dhe Unazën e Madhe.

Ndërkohë, ish-kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli i cili ndodhet në arrest shtëpie dhe i akuzuar vetëm për shkeljet me tenderin e Llogarasë, nuk e ka ankimuar masën e sigurisë.

Për Ballukun në fuqi është me vendim të Apelit të GJKKO edhe pezullimi nga detyra, masë e cila u konfirmoi në shkallën e dytë të gjyqësorit të martën.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë