Ka vijuar këtë të mërkurë gjykimi për një nga fraksionet e dosjes së ARRSH-së, ku prokurori Dritan Prençi ka lexuar parashtrimet mbi faktet penale të 12 episodeve se si Evis Berberi, si kreu i Eficencës së Energjisë dhe ARRSH-së më pas, në bashkëpunim me zyrtarë e shtetas të tjerë, shkeli ligjin në procedura publike tenderimi duke favorizuar kompanitë de facto të tij.
Pas kësaj, gjykata relatoi se mbi kërkesat e disa prej të pandehurve për formën e gjykimit do të shprehet në seancën e ardhshme të 8 prillit.
SPAK tha se për formën e gjykimit ia lë gjykatës ta vendosë pasi nuk ka një qëndrim për ta pranuar ose jo gjykimin e shkurtuar. Kjo pasi sipas organit hetues, biznesmeni Valter Begaj ka kërkuar gjykim të zakonshëm dhe Evis Berberi e Brunilda Buli që akuzohet për vepra të ngjashme penale, nuk mund të ndahen. Për të pandehurit e tjerë specialistë, që akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, SPAK ra dakord për ndarjen dhe aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Gjykimi i shkurtuar është kërkuar nga 22 të pandehur.
Të pandehur janë: ish-drejtori i ARRSH, Evis Berberi, Valter Begaj, Ervis Lami, Brunilda Buli, Gentjan Gjyli, Genti Raça, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Adja Strazimiri, Gëzim Noni, Shkëlqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Valbona Pepa, si edhe dy shoqëritë "Net Group" dhe "DAAM".
SPAK thotë se zyrtarët, nën akuzë përmes një skeme të përpunuar bashkëpunimi mes tyre dhe kompanive private, synonte kontrollin dhe përfitimin sistematik nga fondet publike në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës.
Ata do të gjykohen për veprat penale: “Shkelja e barazise se pjesemarresve ne tendera apo ankande publike" kryer nw bashkwpunim, “Korrupsoni pasiv i personave qe ushtrojne funksione publike”, “Mashtrimi me pasoja të rënda” dhe “Falsifikim i dokumenteve", kryer në bashkëpunim.
SPAK e akuzon Berberin se ndonëse kishte kaluar fiktivisht pronësinë e shoqërisë “DAAM” sh.p.k te persona të tjerë, vijonte të ishte pronari de facto i saj, duke e përdorur për të përfituar personalisht nga tenderat publikë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, shoqëria “Net Group” në pronësi të Valter Begajt, është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente











