Të gjithë të paraburgosurit që e dinë se nuk do të dalin të pafajshëm nga procesi penal, kanë një plan: si të zvarrisim gjyqet, që të përfitojmë nga koha e paraburgimit.

Si funksionon kjo? Që nga dita e arrestimit deri kur një individ dënohet me formë të prerë, çdo ditë që kalon në paraburgim, pra i padënuar përfundimisht, i quhet 1 ditë e gjysmë. Për një të pandehur që ka kaluar 2 vjet në paraburgim, në fund do t’i quhen sikur të ketë kryer 3 vjet burg.

Kështu të gjithë të pandehurit që e dinë që nuk do të shpëtojnë nga burgu, për tu liruar më shpejt, përdorin skema të ndryshme për të shtyrë gjyqet për të përfituar skema dhe për të zgjatur sa më shumë periudhën e paraburgimit.

Kur Gjykata vëren se i pandehuri po dështon seancat me këtë qëllim dhe pa arsye reale, zbaton nenin 265 të Kodit të Procedurës Penale, dhe ja pezullon afatet e paraburgimit. Pra, i pandehuri nuk përfiton dhe 1 ditë në burg, i quhet 1 ditë, dhe jo një ditë e gjysmë.

Deri në këtë pikë, gjithçka duket e rregullt, por një gjyqtar i Gjykatës së Posaçme GJKKO, ka vërejtur se kjo praktikë po ju bën padrejtësi të pandehurve të tjerë. Kjo ndodh për shembull, në procese me 2 ose më shumë të pandehur, dhe kur njëri zvarrit gjyqet pa shkak, gjykata i pezullon afatet e paraburgimit për të gjithë grupin.

Gjyqtari i posaçëm, Florjan Kalaja, i ka thënë Gjykatës Kushtetuese se kjo bie ndesh me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut “në pjesën që nuk parashikon shtrirjen e personalizuar të efekteve juridike të pezullimit të afateve të paraburgimit tek bashkëpandehurit”.

Gjyqtari i GJKKO i kërkon Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë këtë nen, dhe të lejojë gjykatën, që të “ndëshkojë” vetëm atë që abuzon, dhe jo të pandehurit e tjerë në dosjen e tij.