TIRANE- Ramazan Hima, djali i hallës të bodigardit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Fatos Skeja, i arrestuar për gjobëvënie ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku ka treguar të gjithë peripecinë e tij, lidhur me gjobën prej 100 mijë dollarëve të vendosur nga Fatos Skeja dhe Gojart Loci. Hima ka lexuar para gjykatës mesazhin që i kishte ardhur nga një numër i paidentifikuar, ku thuhej: “Të kemi futur në rreth, duhet të paguash 100 mijë dollarë në të kundërt do marrësh përsipër pasojat”. Sipas dëshmisë së tij, pas kësaj situate menjëherë kishte denoncuar në Policinë e Tiranës, ku është vënë në shërbim të policëve dhe prokurorëve. Dëshmitari tregoi se ai jeton në Filadelfia në SHBA dhe kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Gjatë tregimit të dëshmisë, në sallën e gjyqit nuk ka qenë i pandehuri Fatos Skeja, që rezulton të jetë djali i hallës së biznesmenit Ramazan Hima.

Dëshmia në gjykatë
Dëshmitari Ramazan Hima, deklaroi se më 7 shtator 2013,në telefonin e tij ka mbërritur një sms me tekst: “Të kemi futur në rreth, duhet të paguash 100 mijë dollarë në të kundërt do marrësh përsipër pasojat”. Pas këtij mesazhi Hima është ndierë i pasigurtë dhe për pasojë ka vendosur të denoncojë në organet e rendit. “Menjëherë hetuesit kanë organizuar planin duke më autorizuar t’u ktheja përgjigje se disponoja vetëm 30 mijë USD”-u shpreh Hima. Mes këtij të fundit dhe njërit prej të pandehurve që ka shumë gjasa të jetë Gojart Loci, është zhvilluar një takim në zonën e mbikalimit të Kamzës, ku Hima i ka vënë në dijeni se kishte në gjendje vetëm 30 mijë dollarë dhe nëse prisnin edhe një javë mund të siguronte shumën e kërkuar.

“Pas kësaj bisede jemi larguar, ndërkohë që unë kam shkuar dhe në polici. Takimi është bërë nën mbikqyrjen e policisë nga larg. Në këtë takim më është kërkuar që sa herë të me telefononin unë të hapja telefonin dhe t’u bindesha. Ditën kur më kanë telefonuar më thanë që çantën me lekë, të shkoja dhe ta lija në orët e mbrëmjes, në një kazan plehrash, rrugës që të çon në malin e Dajtit. Ashtu kam vepruar, pasi nga mbrapa kisha dhe policinë. Çantën e kam lënë tek kazani bosh, nuk kishte asnjë para dhe jam larguar. Më tej nuk di se çfarë ka bërë policia, vetëm kur më pas kam mësuar se mes personave që ishin të dyshuar ishte dhe kushëriri im Fatos Skeja”, ka deklaruar biznesmeni Hima.

“Pamë të vraponin”
Në seancën e djeshme kanë dëshmuar dhe dy persona të tjerë, banorë të zonës, ku ishte vendosur çanta bosh, pranë disa kazanave të plehrave. Ata kanë pohuar se kishin qenë duke mbledhur fiq, kur papritur kishin parë që përmes pronës së tyre, kishin kaluar dy persona, duke vrapuar dhe fill pas tyre dhe disa të tjerë, që dukeshin të ishin policë. Ky ka qenë momenti kur makina e Fatos Skejës, ka çarë postobllokun e policisë që kishte planifikuar arrestimin e Skejës, dhe dy personat Skeja dhe Loci, kanë dalë nga automjeti duke u larguar me vrap.

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)