Gjoba 75 mijë euro Bollinos
10 muaj në gjyq pa mbrojtje

Gjoba 75 mijë euro Bollinos<br />10 muaj në gjyq pa mbrojtje
TIRANE - Për dhjetë muaj rresht gjykata civile e Tiranës zhvilloi procesin ndaj  gazetarit italian Carlo Bollino pa dijeninë e tij dhe pa qenë i pranishëm as edhe një avokat i tij mbrojtës. Duke lexuar ato pak letra të procesit të bëra publike deri tani, zbulohet një tjetër monstruozitet juridik i këtij gjyqi politik që u mbyll me 23 maj me dënimin e Carlo Bollino-s me gjobë 75 mijë euro për “dëm moral” ndaj ministrit Sokol Olldashi.
 
Një dënim pa asnjë bazë ligjore,  sepse Bollino është dënuar jo si autor i shkrimit që konsiderohet shpifës publikuar në Gazetën Shqiptare në mars të vitit 2011: por thjeshtë si përfaqësues ligjor i shtëpisë botuese “Mediterranea spa”, pronare në atë kohë e Gazetës.
 
Një absurditet, sepse në vend që të dënohej shoqëria pronare e Gazetës Shqiptare, është dënuar administratori i saj që prej vitesh nuk jetonte më në Shqipëri, por në Itali ku ishte dhë është edhe sot Drejtor i “La Gazzetta del Mezzogiorno”. Eshtë sikur për një aksident të bërë me një makinë Mercedes në Tiranë, të mos dënohej shoferi, por administratori i Mercedesit që jeton në Gjermani.
 
Historinë e pabesueshme e treguam dje dhe mund të lexohet e plotë dhe në www.shqiptarja.com.
 
Më 24 mars 2011 Gazeta Shqiptare publikon një artikull që minsitri Sokol Olldashi e konsideron fals, më 6 prill 2011 bën një kërkesë për dëm të shkaktuar për 150.000 euro kundër shoqërisë “Mediterranea”, pronare e gazetës. Kjo është një e drejtë e tij. Më 11 maj 2011 shoqëria “Mediterranea” ia shet Gazetën Shqiptare një grupi editorial shqiptar pranë qeverisë dhe bashkë me pronësinë transferon edhe të gjitha proceset gjyqësore në zhvillim e sipër, përfshi dhe atë të hapur nga Olldashi.
 
Olldashi dhe Berisha kujtuan se me shitjen e “Gazeta Shqiptare” do të mbyllej më në fund zëri i një gazete të pavarur. Më 4 nëntor shumë ish gazetarë të “Gazeta Shqiptare” themelojnë të përditshmen e re të pavarur Shqiptarja.com dhe pesë ditë më pas, me 9 nëntor 2011 Sokol Olldashi hakmerret. Si? I beson avokates së tij Erinda Ballanca (e cila ka si klient dhe Sali Berishën) detyrën për të ndryshuar objektin e padisë: dhe kështu paraqitet në gjykatë  dhe saktëson se 150.000 eurot nuk i dëshiron më nga botuesi i ri i Gazetës Shqiptare (i cili është mik i qeverisë), por i kërkon nga Carlo Bollino personalisht.
 
Në një gjykatë normale gjyqtari do të përgjigjej me një buzëqeshje, sepse kjo gjë nuk është e mundur ligjërisht. Por në Shqipëri gjyqtari Bledar Abdullai (i njohur për proceset e tij kundër opozitës dhe për afërsinë e tij me Partinë Demokratike) pranon modifikimin dhe trasformon Carlo Bollinon në të pandehur, “në cilësinë e botuesit dhe përfaqësues ligjor të Mediterranea”. Një absurditet sepse në Shqipëri ligji e përcakton me qartësi se përgjegjësia civile është gjithmonë personale: domethënë që një njeri mund të dënohet për atë që bën personalisht, jo për atë që bëjnë punonjësit e shoqërisë  që administron.
 
Dhe këtu vijmë tek letrat e procesit dhe te skandali i mungesës së mbrojtjes. Neni 185 i kodit të procedurës civile i përdorur nga gjykatësi Abdullai atë 9 nëntor për të ndryshuar padinë përcakton se “kur ndryshimet bëhen në mungesën e të paditurit ose të personave të tretë të thirrur në gjykim, duhet t’u komunikohen atyre me shkrim”.
 
Atë ditë të 9 nëntorit 2011 Carlo Bollino, i shndërruar në të pandehur personalisht, nuk ishte në sallën e gjyqit. Dhe këtu nis skandali i një procesi politik: seancat zhvillohen deri në 19 shtator të vitit 2012  dhe Carlo Bollino nuk merr asnjë njoftim nga askush se ishte i pandehur në një proces që zyrtarisht i takonte botuesit të ri të Gazetës Shqiptare. Dhjetë muaj pa asnjë mbrojtje. Kujt dhe kur i është komunikuar me shkrim modifikimi i padisë siç ligji e kërkon? Mister.
 
Vetëm me 19 shtator 2012 gjyqtari e njeh zyrtarisht se një avokat është bërë mbrojtësi i Carlo Bollinos. Në procesverbalin e seancës lexohet: “Seanca e sotme u mbajt me date 19.09.2012 ora 11.30. Shtyhet seanca gjyqesore per me date 10.10.2012 ora 10.00, per t’i dhene mundesi perfaqesuesit te paditurit Carlo Bollino qe te njihet me aktet pasi eshte seanca e pare qe ligjitimohet si avokat i kesaj pale. Pala prezent moren dieni. Te njoftohen te paditurit e tjere. Tirane me date 19.09.2012 ora 11.58. Sekretare Gjyqtar Enkeleda Lamaj Bledar Abdullai”.
 
Nga 9 nëntori 2011 deri më 19 shtator 2012 gazetari Carlo Bollino është procesuar ilegalisht, për një krim që nuk e ka kryer dhe pa një avokat mbrojtës. Praktikisht një proces sekret. Që nga ky moment kanë mjaftuar vetëm shtatë seanca (pa e pyetur apo parë në fytyrë Carlo Bollinon) për të bindur gjyqtarin Bledar Abdullai që Bollino ishte fajtor dhe e dënoi për të dëmshpërblyer Sokol Olldashin me 75.000 euro për një shkrim që nuk e ka shkruar ai, për të cilin nuk ka pasur asnjëherë dijeni dhe nuk kishte lexuar ndonjëherë. Në fund të një procesi politik për të cilin nuk ishte as informuar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.05.2013
 
Redkasi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shqipëri-BE marrëveshje bashkëpunimi në fushat e sigurisë e mbrojtjes, Rama: Lidhje e pandashme! Hasani: Luftojmë kërcënimet hibride dhe kibernetike

Shqipëri-BE marrëveshje bashkëpunimi në fushat e sigurisë e mbrojtjes, Rama: Lidhje e pandashme! Hasani: Luftojmë kërcënimet hibride dhe kibernetike