UEFA ka urdhëruar Serbinë që ndeshjen e fundit kualifikuese në shtëpi për Kampionatin Evropian të luajë në një stadium bosh. Organi qeverisës i futbollit evropian gjobiti Federatën Serbe të Futbollit me 90 mijë euro, për sjelljen e keqe të tifozëve gjatë ndeshjes kualifikuese të Euro 2024 kundër Malit të Zi më 17 tetor.
Vendimi nënkupton se Serbia do të luajë ndeshjen e saj kualifikuese për Euro 2024 pa tifozë kur të presë Bullgarinë më 19 nëntor. Serbia është gjobitur me një total prej 144,250 eurosh për probleme të tifozëve të dhunshëm në dy ndeshjet e fundit.
Federata e Futbollit të Malit të Zi gjithashtu u ndëshkua me akuzën për “sjellje raciste” nga përballja mes fqinjëve në Beograd në tetor, ku Serbia fitoi 3-1. Të dyja federatat u ndëshkuan gjithashtu për të njëjtat shkelje pasi tifozët shfaqën sharje etnike kur skuadrat u takuan në Mal të Zi në mars të këtij viti.
Kujtojmë se më 17 tetor të këtij viti, Serbia fitoi 3-1 kundër Malit të Zi për grupin G kualifikues të Euro 2024. Në Beograd, vendasit u treguan më të saktë duke bërë që malazezët të dilnin pa pikë dhe të humbisnin shpresat për një kalim më tej.
Veç anës sportive, në tribuna pati kaos dhe përplasje mes tifozëve miq dhe policisë. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, pas golit të avantazhit të Serbisë me Mitrovic në minutën e 73. Një anëtar i sigurisë mori një flamur të tifozëve të Malit të Zi, me situatën që u tensionua.
Miqtë filluan të përlesheshin me policinë, teksa sipas "Vijesti" shumë karrige 'fluturuan' nga tribuna e miqve. Situata mund të përkeqësohej, ndërsa gjithçka u qetësua edhe pas ndërhyrjes së policisë.
Nga tribunat e tifozëve serbë u dëgjuan edhe thirrje: "Shqiptari, shqiptari", kjo për të ironizuar përplasjet e malazezëve me policinë.