Kreu i agjencisë italiane të antikorrupsionit, Raffaele Cantone po zhvillon një vizitë në Shqipëri ku pritet të ketë edhe disa takime të rëndësishme. 

I shoqëruar nga ambasadori Alberto Cutillo, Cantone ka mbërritur te Ministra e Drejtësisë, ku është pritur në një takim nga ministrja Etilda Gjonaj.  

Në fokus të këtij takimi ka qenë bashkëpunimi mes dy vendeve sa i takon luftës kundër korrupsionit. Pas takimit, ministrja Gjonaj e vuri theksin te shkëmbimi i eksperiencës dhe ngritja e mekanizmave monitorues sa i takon luftës kundër korrupsionit. "Janë një sërë objektivash për t'u arritur. Ministria e Drejtësisë po shqyrton metodologjinë e planit të veprimit 2018-2020 për mënyrën e luftës kundër këtij fenomeni. Jemi në fazën e zbatimit të Reformës në Drejtësi  dhe pritet të ngrihen institucionet e reja të cilat pritet t'i shërbejnë luftës kundër korrupsionit", tha Gjonaj. 

Nga ana e tij, kreu i agjencisë italiane të antikorrupsionit, Raffaele Cantone tha se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë vitet e fundit në drejtim të luftës kundër korrupsionit. "Shqipëria po bën hapa pozitivë nga ana legjislative. Italia do ndihmojë Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit.  Duhen krijuar mekanizma koordinimi nga autoritetet e krijuara për të luftuar korrupsionin", tha Cantone. 

Axhenda e vizitës në Tiranës të Cantone

Ora 09:00 - Workshop për Transparencën dhe Prokurimin Publik

Ora 10:00 - Takim me Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj 

Ora 11: 00  Takim me Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj

Ora 15: 00 - Takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com