Gjongecaj: Fshehja e financave të
piramidave ishte stil i njohur në PD

Gjongecaj: Fshehja e financave të<br />
piramidave ishte stil i njohur në PD
TIRANE - Në prillin e vitit 1997-s, Besnik Gjongjecaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm të PD-së dhe një nga arsyet ka qenë fshehja ndaj tij e informacioneve. Gjithçka që e ka munduar në këto vite, Besnik Gjongjecaj e ka shprehur me librin e ri “Në morgun e politikës”. Libri ka në fokus politikën shqiptare të 5 viteve të fundit, politikën qeverisëse të këtij vendi dhe problemet më thelbësore që lindin me standardet që duhet të plotësohen në procesin e afrimit me BE-në.

Autori del në disa konkluzione shumë të rëndësishme si: “ndërsa politika shqiptare, veçanërisht ajo qeverisëse, ka si mision të sajin punësimin, ajo nuk merret fare me diskriminimin e rëndë politik që ndodh në procesin e kërkimit punë të një qytetari çfarëdo, ndërsa politika qeverisëse thotë se ka ndërtuar rrugë dhe ka bërë investime të jashtëzakonshme, ajo harron se ka pasur dhe ka popuj që nuk janë bërë kurrë të lumtur kur qeveritë e tyre kanë investuar në rrugë, pra për asfaltin, pa investuar për ndërtimin e demokracisë; ndërsa politika qeverisëse flet për liberalizim të pranimeve në universitete, pra për masivizim të tyre”.

A e ka afruar politika qeverisëse vendin me BE-në,shtron pyetjen Besnik Gjongjeçaj, ndërsa shkruan në faqet e këtij libri se po “shkelen përditë parimet më esenciale mbi të cilat është ndërtuar BE-ja, si parimi i ndarjes së pushtetit mbi bazë të rëndësisë më të vogël, transparenca, kontrolli dhe balancimi i pushtetit, harmonizimi i politikëbërjes me ndërtimin e institucioneve etj”. Në intervistën për “Shqiptarja.com” autori i librit “Në morgun e politikës” shtjellon dhe zbulon të gjithë faktorët e krizës aktuale të vendit. Edhe në shkrimet fiction, pjesë e këtij libri, edhe pse personazhet dhe ngjarjet e të cilit janë plotësisht produkt i fantazisë, autori shprehet se “në thelbin e fiction është vendosur ekzaktësisht ky absurd që zbulohet në politikën e këtij vendi, në qeverisjen e tij me mjetet që t’i jep vetë letërsia”.

Zoti Gjongjeçaj, ju jeni profesor universiteti. Pse merreni me shkrimin e një libri politik, aq më tepër, me shkrimin e një libri ku analizat politike bashkëjetojnë me letërsinë?
-Kjo ka lidhje me botëkuptimit tim lidhur me mjetet që duhen përdorur për të ndryshuar Shqipërinë pas 20 viteve tranzicion. Të qenit profesor për një kohë të gjatë në një nga universitetet e Tiranës, më ka dhënë mundësinë të jem edhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i rrënimit të tyre. Si çdo rrënim tjetër, edhe ky i universiteteve, mori me vete ç’gjeti; shkuli nga rrënjët gjithçka të mirë që kishte mbetur nga sistemi universitar: dinjitetin, profesionalizmin, moralin, etikën, dhe mbi të gjitha, integritetin e të dyve, profesorit dhe studentit të tij.

Boshllëku i krijuar nga kjo shkulje, ku s’mbeti gjë pa u përfshirë, u plotësua me procese degjeneruese, për të cilat edhe më parashikuesit nuk do t’i kishte shkuar mendja që do të instaloheshin një ditë aq brutalisht. Të jesh dëshmitar, nuk do të thotë se detyra është kryer. Për vite të tëra, me shumë kolegë të tjerë, bëmë ç’është e mundur të gjenim rrënjët e të keqes dhe të provonim t’i shkulnim ato. Ishte një betejë që nuk dha kurrë rezultat, sepse e zhvilluam në territorin e gabuar, në frontin e gabuar.

E zhvilluam në universitete pa liri universitare, gjë që e bëri betejën tonë të pakuptimtë. Për shkak të pushtimit nga politika, beteja për ndryshimin e universiteteve nuk mund të bëhej brenda tyre, por jashtë, në territorin e politikës. Universitetet e këtij vendi ndryshojnë, nëse ndryshohet politika. Ja pse në fokusin e këtij libri është vendosur politika, veçanërisht ajo qeverisëse, djalli që rri brenda saj.
 
A mund të veçoni një pjesë të shkurtër nga fiction për të kuptuar sadopak sesi kjo mënyrë të shkruari mund të shkojë paralel me publicistikën e këtij libri?
-Mund të veçoj një bisedë midis themeluesit të universitetit privat dhe analistit të pavarur, të dy personazhe të librit, sigurisht, të dy si produkt i fantazisë sime. Ja pra dialogu midis tyre: ”Pse nuk krijon një parti, e kishte pyetur analisti i pavarur disa ditë më parë, si padashur, themeluesin e universitetit privat. Ke krijuar një universitet të shkëlqyer, të suksesshëm jashtë çdo parashikimi. Krijo edhe një parti dhe do t’i kesh të tria në dorë: universitetin, median, politikën.

A nuk është ide e mirë? Çdo të thuash, ma shtjello pak më shumë, tha themeluesi i universitetit privat dhe dukshëm u duk i mikluar nga ideja e analistit të pavarur. Shumë thjesht, filloi analisti i pavarur të bënte atë që dinte më mirë, analizën. Sipas të gjithë llogarive të mija, rreth gjysma e njerëzve që kanë mandat votimi nuk votojnë. Është ajo pjesë e popullsisë që e karakterizojnë si votues gri, gjë që, më duhet ta them që tani, se nuk ka të bëjë fare me trurin, i cili, që kur është njohur si i tillë nga qeniet njerëzore, është karakterizuar si materia gri e botës. Në fakt, ta themi këtu dhe ta lemë midis nesh.

Ngjyra e trurit nuk është gri por pink, ngjyrë të cilën nuk e pëlqejnë politikanët e maxhorancës së këtij vendi, madje, thonë që ajo që e urren më shumë këtë ngjyrë është kryetarja e parlamentit. Nëse do t’i thoje që ngjyra e trurit është pink, atëherë, sipas të gjitha gjasave, ajo mund të reagojë e nevrikosur duke thënë që nuk e dua trurin. E gjitha kjo, vetëm e vetëm sepse e urren ngjyrën pink. Njësoj si i ndjeri “ai i qenve”. Ngaqë urrente gruan sepse dyshonte se kishte shkuar me një qen, filloi të urrejë gjithë racën e qenve. Mos dil nga tema, i bëri vërejtje themeluesi i universitetit privat.

Në rregull, po vazhdoj, tha analisti i pavarur..... Krijo një parti ku të gjithë janë njësoj të zhytur në mjerimin e tyre, në vetmi, në boshllëk. Një parti ku nuk ka kundërshtarë, vetëm njerëz me cirkoevolucione të sheshuara, ose që bëjnë ç’është e mundur t’i sheshojnë ato përditë. Apliko, pra, të njëjtën doktrinë që ke aplikuar në sistemin universitar; atë që sistemi universitar do të duhet të vijë te standardi i universitetit tënd dhe jo universiteti yt te standardi i universiteteve morracake publike. Mos krijo një parti si politika e këtij vendi, por ule politikën e këtij vendi te niveli i partisë tënde. Jepi frymëmarrje edhe më të gjerë se universitetet ëndrrës tënde, mllefit tënd!”
 
A mund të na veçoni si një ngjarje interesante në pjesën publicistike të këtij libri?
-Ka shumë tilla dhe nuk di kë të zgjedh. Megjithatë, po veçoj vetëm njërën, të cilën e kam përjetuar në prillin e vitit 1997-s, kur dhashë dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm të PD-së. Në atë kohë, Shqipëria kishte probleme shumë të mëdha, por më e keqja ishte se ato fshiheshin me kujdes nga ata njerëz që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me to. Është fjala për financat e vendit që u përfshinë në skemat piramidale dhe për njerëzit që ose kishin njohuri për to, ose ishin direkt përgjegjës në pikëpamjen e qeverisjes së sistemit financiar të vendit.

Mbaj mend që mbahesha krejtësisht në errësirë dhe ishte e pamundur të merrja një informacion serioz se ç’po ndodhte me to, megjithëse isha sekretar i përgjithshëm. Qartësisht, problem i skemave financiare ishte një problem thellësisht konfidencial, prandaj edhe zgjidhja e tij do të duhej të ishte e tillë, të realizohej larg syve të të tjerëve. Ishte një stil i njohur në PD. Problemi që lindte klasifikohej, nuk ishte për të gjithë, por vetëm për disa.

Autoritetet e partisë përjashtoheshin në mënyrë selektive dhe asnjëherë nuk jepej shansi që të gjithë së bashku të diskutonim dhe të zgjidhnim një problem të dhënë dhe njëherësh sëbashku. Lojtari më “virtuoz” i kësaj loje ishte kryetari gjasme i PD-së së asaj kohe, z. Shehu. Kur binte fjala për skemat piramidale, nuk e di pse, ai kruhej vazhdimisht. Nuk e mbaj mënd se si e fillonte kruarjen, por di që kruhej kudo dhe papushim....

DETAJE NGA LIBRI
 
Si diskutonin nëpër mbledhje Tritan Shehu me Berishën në ‘97-n
 
Në librin “Në morgun e politikës” profesor Besnik Gjongecaj sjell detaje pas kuintave të PD-së që nga ‘97-a deri në krizën aktuale. Gjongecaj rrëfen se ç’ndodhi pas rrëzimit të qeverisë Meksi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar në prill të 1997-s, dhe pse ai vet dha dorëheqjen si sekretar i PD-së. “Ishte djegur Shqipëria, prandaj, dikush nga kryesia e PD-së, në mos e gjitha, duhet të jepte dorëheqjen”, thotë Gjongecaj, dhe tregon se ai që duhet të jepet dorëheqjen duhet të ishte zoti Tritan Shehu.

Kuriozitete të tjera janë ndodhitë në mbledhjen në basement-in e Pallatit të Kongreseve, ku një grup të rinjsh të armatosur me kallashnikovë qëndronin në një prej cepave të përparmë të sallës. Çfarë tha kryeministri Berisha për “raportet që ekzistojnë midis zjarrvënësit dhe zjarrfikësit”. Si gënjente Shehu kur “gjysma e trupit jugor të PD ishte djegur, ngrirë, nuk funksiononte më”...” “Pas përfundimit të diskutimit, Shehu filloi të bënte atë që bënte gjithmonë: të kruhej dhe të rirendiste emrat e diskutantëve në mënyrë që një diskutim i kualifikuar paraprakisht ”negativ” të neutralizohej nga një diskutim që mendohej të ishte ”pozitiv”, e kështu me radhë.

Më në fund, ngaqë nuk kishte se ç’të bënte më, ma dha fjalën mua, që atë ditë kualifikohesha me një diskutim negativ”. Duke përshkruar situatat përçarëse që krijoheshin në grupin e PD-së, Gjongjecaj thekson se: “Tani është harruar ajo kohë, por problemet janë ekzaktësisht të njëjta për PD, probleme të cilat i kisha paraqitur 15 vjet më parë! PD dhe z. Berisha, fatkeqësisht, nuk kanë mësuar asgjë nga tragjedia e vitit 97...”

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin


Temperaturat e larta, Veliaj apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet gjatë orëve të pikut, ndaloni te 'Çadra e Kujdesit' për ujë dhe për të matur tensionin