Vendi ynë edhe këtë të enjte është përfshirë nga reshjet e shiut. Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se kjo situatë ka krijuar rritjen e prurjeve në lumenjtë Mat, Shkumbin, Erzen, Ishëm dhe Seman.

“Reshjet e shiut do të vijojnë edhe më orët në vazhdim. Reshje mesatare deri në intensive priten në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë. Si pasojë e reshjeve do të kemi rritje të prurjeve në lumenjtë Mat, Shkumbin, Erzen, Ishëm dhe Seman. Vijon me rrezik të shtuar për përmbytje Vjosa, Buna, Drin dhe liqeni i Shkodrës. Nga 9 janari pritet të kemi uljen e prurjeve në të gjithë lumenjtë e vendit”, tha Gjoni.

Gjoni tha se intensiteti i reshjeve ka qenë relativisht i lartë në zona të caktuara, por problematikat janë shfaqur nga kombinimi i këtyre reshjeve me terrenin.

“Nuk mund të themi nivel të lartë. Kemi pasur reshje lokalisht intensive në disa prej qarqeve. Si pasojë të këtyre reshjeve me intensitet të shtuar, kanë ardhur dhe problematikat e ndryshme si vërshimet e ujit apo rritja e niveleve të lumenjve. Problematikat janë shfaqur nga kombinimi i reshjeve me terrenin. Sasitë kanë qenë të ndryshme në qarqe të ndryshme”, tha Gjoni.

Më tej ajo shtoi se në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formën e dëborës

“Në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formën e dëborës dhe do të zbresin der në nivelin 300 metra mbi nivelin e detit”, tha Gjoni, teksa theksoi se në Tiranë nuk presim reshje në formën e dëborës.

Temperaturat minimale dhe maksimale nesër parashikohen:

Në zonat malore -8/1 gradë celcius;

Në zonat e ulëta 1/8 gradë celcius;

Në zonat bregdetar 4/10 gradë celcius.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Viktima e parë, 54-vjeçari humb jetën në Durrës! Evakuime në Katund të Ri, Sukth dhe 3 fshatra të Fierit e Vlorës (VIDEO)