Gjoni: Serbi Tesic tregti armësh
me Ministrinë e Mbrojtjes

Gjoni: Serbi Tesic tregti armësh<br />me Ministrinë e Mbrojtjes
TIRANE - Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, deputeti socialist Ilir Gjoni në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" është shprehur se Shqipëria ka bërë tregti armësh me tregtarët më të errët të krimit në botë. Ai nënvizon se disponon të gjitha dokumentat e nevojshme që vertetojnë se Ministria shqiptare e Mbrojtjes ka pasur marrëdhënie me trafikatin serb Sllobodan Tesiç. Ndërkohë që për Gjonin shqetësim për sigurinë kombëtare është fakti që bizneset e errëta serbe kanë penetruar në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit dhe ky fakt përbën shqetësim për të gjithë shqiptarët. Njëherësh, ai ka akuzuar Berishën se nuk e ka për herë të parë trafikun dhe thyerjen e embargos së OKB-së, pasi sikurse e ka pranuar dhe vetë kreu aktual i qeverisë, me firmën e PD, "Shqiponja" ka thyer embargon me ish-Jugosllavinë, ndërkohë që ka pranuar dhe tregtinë e armëve por dhe Gërdeci dhe gjithë veprimtaria e tij e vertetojnë këtë akuzë. Deputeti Gjoni shprehet për arësyet që opozita kërkon kontrollin kushtetues parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërkohë që akuzon SHIU-n për përgjime dhe shkelje Kushtetute. Madje sipas tij, aparaturat e përgjigjimit kanë kaluar pa doganë dhe janë paguar me para të dyshimta, duke nënvizuar faktin se është dhe një institucion tjetër i sigurisë që ka një pajisje të tillë. Ndërsa për zëvendësuesin e Zylës, Pollozhani, deputeti socialist shprehet se është pjesë e lidhjeve të vjetra me njerëz të administratës afër Berishës, por që gjithçka do të vertetohet pas kontrollit parlamentar.

Deputetët e opozitës po kërkojnë me insistim kontroll parlamentar mbi Ministrinë e Mbrojtjes, ndërkohë që mazhoranca refuzon. Si e shpjegoni këtë refuzim dhe çfarë shpreson të gjejë opozita në këtë ministri?
Siç e dini Komisioni i Sigurisë në mbledhjen e tij të datës 18 Maj 2012 mori vendim për të ushtruar mbikqyrje parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes, për të parë zbatueshmërinë e ligjit nga kjo ministri dhe ecurinë e reformave të domosdoshme për të integruar plotësisht Forcat tona të Armatosura në strukturat e NATO. Mbikqyrja e kërkuar prej Komisionit te Sigurise hyn në zbatimin e një prej aksiomave të sistemit tonë demokratik që është kontrolli civil ndaj Forcave të Armatosura dhe mbikqyrja e Legjislativit ndaj zbatimit të ligjeve të miratuara prej Ekzekutivit. Synimi ynë, ashtu si dhe në disa raste të tjera, është që të dalim me një raport ku të parashtrohen gjetjet dhe të ofrohen rekomandime për ndryshim aty ku është e nevojshme, duke shërbyer kështu si një mjet efikas në identifikimin e mangësive apo dhe abuzimeve dhe në ndihmën që ofrojmë për të hartuar ligje të reja aty ku është e nevojshme.

Ju i keni identifikuar këto mangësi...?
U identifikuan tetë fusha ku do të përqëndrohej mbikqyrja që janë zbatimi i ligjit p?r gradat, planin e përhapjes s? Forcave t? Armatosura, paketa ligjore n? Forcat e Armatosura, kapacitetet operacionale, zbatimi i Buxhetit 2011, veprimtaria e MEIKO-s 2011, veprimtaria e SHIU-t dhe përmbushja e detyrave të lëna nga ATC 2011. Deri në këtë pikë gjithshka mirë. Vendimi u mor me konsensus dhe pa debat nga të gjitha palët. Problemi lindi pasi media publikoi implikimin e bashkashortes së drejtorit të SHIU-t në tregtinë e armëve e dyshimeve të hedhura për konflikt interesi si dhe akuzat e hedhura po nga media se SHIU kryen përgjime të paautorizuara. Në këtë moment filloi dhe reagimi antikushtetues i Ministrit, i cili sigurisht ka dhe bekimin e Sali Berishës dhe mbështetjen direkte të Jozefina Topallit. Ne kemi dyshime të bazuara, të përforcuara akoma më shumë nga kjo arrogancë e pushtetit për të mos lejuar deputetët të ushtrojnë mbikqyrje në këtë institucion kaq të rëndësishëm për sigurinë kombëtare. Këtu ka dy probleme. I pari është se shkelet ligji, rregullorja e Kuvendit dhe ç'është më keqja Kushtetuta. Pra cënohen parimet themelore të demokracisë të kontrollit e balancave të pushteteve. E dyta, përmes kësaj shkelje fshihen veprimet e mundshme antiligjore të strukturave të veçanta të Ministrisë së Mbrojtjes që në gjykimin tonë veprojnë jashtë kornizës ligjore e kushtetuese. Sa i përket pjesës së fundit të pyetjes së çfarë shpresojmë ne si opozitë të "gjejmë" në Ministrinë e Mbrojtjes, unë sinqerisht ju përgjigjem se ne shpresojmë që të gjejmë një institucion i cili funksionon plotësisht brenda ligjeve dhe kuadrit Kushtetues, një institucion që paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk i keqpërdor, një institucion që të na përfaqësojë denjësisht në organizatën e NATO. Se çfarë do të gjejmë, këtë le tja lëmë kohës.

Mbikqyrja e institucionit do të vijojë në muajin gusht, nëse merret miratimi nga Imami?
Së pari duhet të kuptojmë qartë që Imami dhe Komisioni i Sigurisë përfaqësojnë dy pushtete të mëvetshme. Ne nuk presim asnjë lloj miratimi prej Imamit pasi ai nuk ka asnjë tagër për të dhënë apo mos dhënë "leje". Miratimin siç e quani ju, deputetëve ua jep Ligji për Statusin e Deputetit, Rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta. Ajo çka po bën Imami e Berisha sot është uzurpim i pastër i pushtetit dhe shfrytëzim i institucioneve të shtetit për interesat e pushtetit të tyre. Gjithësesi kjo histori nuk mbaron me kaq. Një gjë dua tju bëj të qartë jo vetëm Imamit e drejtuesve të kësaj Ministrie, por të gjithë punonjësve të ndershëm si të Ministrisë ashtu dhe Shtabit të Përgjithshëm-kjo që po ndodh është një puç i rëndë kushtetues dhe në mos sot, nesër, personat përgjegjës apo ata që bëhen palë në këtë krim kushtetues do të përgjigjen deri në nji. Askush të mos mendojë se mund të shkelë ligjin e të dalë pa lagur. Mos të mendojnë se Saliu do të jetë gjithmonë barriera antiligj, ashtu siç po vepron edhe me vrasësit e 21 janarit.

Ka pasur akuza nga opozita në drejtim të ministrisë së Mbrojtjes se është përgjuar. Ku e mbështet opozitë këtë akuzë në rëndë ndaj shërbimit inteligjent të ushtrisë?
Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë është një institucion i cili sipas ligjit të vet organik duhet të raportojë para Komisionit të Sigurisë. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Është fshehur pas Ministrit i cili edhe kur ka qënë rasti që është thirrur në Kuvend, në seance dëgjimore, asnjëherë nuk ka folur për SHIU-n, madje edhe kur i është kërkuar në mënyrë specifike. Pra këtu kemi të bëjmë me një çështje parimore të mbikqyrjes së këtij shërbimi inteligjent nga Parlamenti-gjë e cila nuk është bërë. Së dyti ka pasur mjaft të dhëna nga mediat, ashtu si dhe nga burimet tona nga brenda vetë institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes se strukturat e SHIU-t janë pajisur me pajisje speciale të përgjimit apo inteceptimeve telefonike. Këto pajisje nuk janë deklaruar në doganë, nuk kanë kaluar përmes bordit të modernizimit të Shtabit të Përgjithshëm, nuk janë deklaruar në Prokurori si i vetmi institucion që autorizon përgjimet sëbashku me gjykatën. Ndërkohë që pagesat apo transaksionet financiare janë kryer në rrugë të dyshimta për të cilat kur të vijë momenti dhe po ta lejojnë rrethanat do t'i bëhen të ditur publikut.

Jeni në dijeni se ku ndodhet pajisja për përgjimet. Brenda ministrisë ka informacion se kjo pajisje është lëvizur sërish në ambientet e SHIU-t. Keni informacion?
Pyetja juaj është shumë intriguese, por e ndjej të nevojshmë që të qartësoj diçka që në gjykimin tim është shumë e rëndësishme. Deputetët nuk janë agjentë "007" dhe të kërkojnë informacione të himtësishme që dalin jashtë fushës së veprimtarisë së tyre. Për deputetët e rëndësishme është të mbikqyret zbatueshmëria e ligjit. Detajet se ku mbahen e si fshihen këto pajisje nuk janë objekt i mbikqyrjes tonë. Për këto ka organe të tjera të specializuara. Por meqë ka një interes të gjërë të publikut, unë mund t'ju them se, në bazë të informacioneve të cilat sigurisht kanë nevojë për verifikim, me pajisje të tilla të padeklaruara është pajisur edhe një institucion tjetër i sigurisë kombëtare, përmes të njejtave linja apo kanale tregtare. Për këtë do të deklarohemi më vonë.

Imami komandoi në vend të të dorëhequrit Zyla në krye të SHIU-t Pollozhanin, njeriun që akuzohet për përgjimet. Sa e komplikon çështjen kjo?
Nuk e njoh Pollozhanin e për rrjedhojë nuk mund të bëj ndonjë koment. Di vetëm që ai është lidhje e vjetër e disa nëpunësve të rëndësishëm të administratës pranë Berishës me të cilët ka mbajtur e mban kontakte të vazhdueshme. Nëse ai ka qënë apo është i implikuar me ndonjë veprimtari të jashtëligjshme këtë do ta shohim në kohë.

Meqënëse jemi tek SHIU dhe ish-kreu i saj, ai ka dhënë dorëheqjen pas zbardhjes në media të faktit se bashkëshortja e tij ishte ortake me dy biznesmenë që kishin kompani të tregtimit të armëve. Mendoni se është përfituar nga ky konflikt i hapur interesi?
Po të flasim me një gjuhë të zhveshur nga ajo zyrtarja, pra me gjuhën e qytetarit të zakonshëm, përgjigja do ishte-sigurisht që "po". Unë dhe kolegët e mi deputetë, gjithësesi gjykimet mund ti japim vetëm në bazë të përputhshmërisë së një veprimtarie me ligjet që janë në fuqi. Në rastin konkret janë bërë publike dokumenta që provojnë se bashkëshortja e Zylajt është aksionere në një kompani që tregton armë e municione, pra është në marrëdhënie biznesi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe për më tepër dyshimet shtohen nga fakti që në deklarimin e pasurisë, zoti Zylaj nuk ë përmend fare aktivitetin e bashkëshortes së tij. Kjo është një çështje që do të duhej ta kishte filluar menjëherë kryesisht si prokuroria ashtu dhe Inspektoriatri i Deklarimit të Pasurive.

Opozita ka akuzuar qeverinë që përmes ministrisë së Mbrojtjes ka bërë tregti armësh, madje dhe me vende që ishin nën embargo të OKB. Si vend i NATO-s e ka cënuar kjo imazhin e Shqipërisë?
Kjo është një pyetje që i është dhënë përgjigje shteruese në mjaft raste. Përgjigja ime e shkurtër është: Shihni historikun e Sali Berishës që kur ka dalë në skenën politike-kujtoni "Shqiponjën" e Partisë së tij dhe kontrabandën e naftës që bënte ajo, kujtoni faktin që ai vetë e ka pranuar tregtinë e naftës dhe armëve si në "BBC" ashtu dhe në "Corriere Della Sera" apo dhe në deklarime të tjera publike. Kujtoni "Gërdecin" dhe mjafton me kaq. Ky është një ujk që as qimen e as zakonin nuk e ndërron.

Agjenci të huaja prestixhoze akuzojnë se Shqipëria përmes trafikantit të madh serb Tesiç që është në kërkim ndërkombëtar ka bërë trafik armësh me Jemenin dhe Libinë e Gedafit. Sa e dëmtojnë shtetin shqiptar këto trafiqe, dhe si e konsideroni ekspasionin e kriminelëve serbë në Shqipëri?
Unë nuk e di se çfarë akuzojnë agjencitë e huaja, por di të them se unë disponoj dokumenta që vertetojnë se Ministria jonë e Mbrojtjes ka pasur marrëdhënie me Tesiçin. Problemi nuk është vetëm te ky individ. Shqetësim për sigurinë kombëtare është fakti që bizneset e errëta serbe kanë penetruar në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit, dhe për mua kjo përbën shqetësim. Sigurisht, që çdo lloj trafikimi apo dhe tregtie korruptive, është e dëmshme për imazhin e Shqipërisë, por jo vetëm për imazhin, por për vetë Forcat e Armatosura dhe rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të tyre operacionale.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit