TIRANE -  Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, ka deklaruar sot në  Komisionin Parlamentar, ku ishte thirrur për një seancë dëgjimore, se në kuadrin e integrimit, do t'i jepen mundësi studimi, studentëve të shkëlqyer, në shkollat më të mira europiane, duke i kushtëzuar ata më pas me rikthimin e tyre dhe punesimin e detyrueshëm në të gjitha ministritë.

Znj.Gjosha u shpjegoi më pas deputetëve"se nuk ka asnjë medyshje se procesi i integrimit europian do të jetë në krye të axhendës së maxhorancës së re qeverisëse. Ministria e Integrimit po zbaton me sukses të gjitha detyrimet që burojnë nga MSA-ja.
 
Ajo  është duke koordinuar dy struktura mjaft të rëndësishme: nënkomitetin e Çështjeve Ekonomike-Financiare dhe shoqërinë e informacionit dhe politikave Sociale,  pasi pala shqiptare do të raportojë mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe monetare.

Nga ana tjetër është finalizuar protokolli i zgjerimit për pershtatjen teknike të MSA për shkak të anëtarësimit të Republikës së Kroacisë në Bashkimin Evropian. Qëllimi ishte ruajtja e tregtisë tradicionale ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë edhe pas anëtarësimit të Kroacisë, duke pasur parasysh tregtinë ndërmjet dy vendeve gjatë periudhës 2009 – 2011.

Është e rëndësishme të theksohet përafrimi i legjislacionit shqiptar me "Acquis" si kusht kryesore i kritereve te Kopenhagenit për anëtarësimin në BE.

Vizion ndryshe i Ministrisë së Integrimit është ai i informimit të publikut mbi këtë proces, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, shkollat e mesme dhe univeristetet, bizneset etj, .
 
Një prioritet i rëndësishëm do t'i jepet dhe projekteve rajonale" - përfundoi ajo, - " të cilat do të shërbejnë në zhvillimin e marrëdhënieve dhe zhvillimin ekonomik të përbashket të vendeve tona."
 
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)