Gjosha: Do përmbushim prioritetet
Bregu: Pa dialog dëmtohet procesi

Gjosha: Do përmbushim prioritetet<br />Bregu: Pa dialog dëmtohet procesi
TIRANE- Një ditë pas takimit të IV të Dialogut të Nivelit të Lartë, procesi i integrimit europian është sjellë sërish në vëmendje. Në konferencën “Një kapitull i ri për integrimit europian”, ministrja Klajda Gjosha theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe. Por kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Majlinda Bregu, tha se mungesa e dialogut politik e dëmton këtë proces.
 
“Për procesin e integrimit kërkohet konsensus dhe bashkëpunim. Lufta kundër krimit të organizuar vijon të bëhet akoma më e ashpër, duhet t’i japim rëndësinë që i takon. Duhet të rimëkëmbim sistemin e drejtësisë. Me rëndësi është shkëmbimi i eksperiencave. Duhet të ndërtojmë një proces integrimi të shëndetshëm. Duhet të rrisim më tej bashkëpunimin me njëri-tjetrin, të përafrojmë legjislacionin tonë me atë të BE”, u shpreh ministrja Gjosha.

klajda gjosha
(Në foto: Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha)

Bregu: Për reformat duhet konsensus e gjithëpërfshirje
Sipas Bregut, për realizimin e reformave në kuadër të integrimit duhet konsensus dhe gjithëpërfshirje, duke theksuar se zëri i opozitës duhet të dëgjohet në Kuvend, dhe të mos ketë replika boshe.
 
“Jemi në të njëjtë frymë me takimin e djeshëm. E vetmja gjë të cilën asnjë nga palët nuk e kundërshton dot është se ky proces dhe sfidat që ka përpara duhet të jetë kredibël. Ka rëndësi mënyra se sa seriozisht e merr politika procesin e integrimit europian. Është e vërtetë që reformat në procesin e integrimit kërkojnë kohë, dhe më shumë përpjekje sesa thjesht fjalimet politike. Kredibiliteti i këtij procesi për t’u arritur ka një fjalë kyç e cila është bashkëpunimi, gjithëpërfshirja apo konsensusi politik. Por për të folur për konsensusin politik në Shqipëri, është sfidë gjetja e një gjuhe të përbashkët, jo se nuk jemi të bindur për këtë, por se na shqetëson më shumë pushteti. Sot Shqipëria nuk është në një situatë normale politike, por në një situatë krize politike. Nëse parlamenti është vendi i debatit politik, aty ku duhet të ketë konsensus e gjithëpërfshirje, duhet të ketë hapësirë edhe për t’u dëgjuar opozita. Por kjo e dëmton procesin e integrimit, pasi në shpesh here orientohemi nga instinkti politik partiak. Nëse ka diçka nga e cila dëmtohet ky proces, është mungesa e stabilitetit politik. Mund të kthejmë axhendën evropiane, në një axhendë të thënies së sfidave tona të vërteta. Ne nuk kemi probleme për të prodhuar. I vetmi problem që Shqipëria e ka vonuar në anëtarësimin në BE, jemi ne vetë”, u shpreh Bregu.
majlinda bregu
(Në foto: Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu)

Rumbold: Dialog politik për reformat
Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së, Clive Rumbold, tha se Shqipëria duhet të veprojë me rigorozitet në përmbushjen e prioriteteve, duke vënë theksin në ndërtimin e dialogut politik dhe në gjithëpërfshirje.
 
“Shqipëria duhet të përmbushë kriteret. BE po shkon pak mbrapa me zgjerimin. Vendi duhet të garantojë qëndrueshmëri. Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet për të realizuar këto reforma, duhet të veprojë në mënyrë rigoroze. Duhet të theksojmë rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por nuk duhet lënë pas reforma në sistemin gjyqësor. Por për realizimin e tyre nevojitet gjithëpërfshirje”, tha Rumbold.
rumbold
(Në foto: Përfaqësuesi i BE në vendin tonë, Clive Rumbold)

Gaiani: Integrimi kërkon kohë dhe përkushtim 
Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri Massimo Gaiani u shpreh se procesi i integrimit kërkon kohë dhe përkushtim në realizimin e reformave dhe prioriteteve kyçe.
 
“Zgjerimi është një proces i gjatë që kërkon kohë. Ky proces i bën vendet të ecin për para. Konferenca ka rëndësi për të rejat rreth integrimit. Zgjerimi në BE ka dhënë sukses. BE duhet të tregojë angazhim drejt procesit të zgjerimit, në mënyrë që t’i nxisë vendet kandidate drejt progresit dhe realizimit të hapave të nevojshme”, u shpreh ambasadori Gaiani.
gaiani
(Në foto: Ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Gaiani)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore

SHBA, Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj shtetit Virxhinia për shkelje zgjedhore