TIRANË- Perspektiva evropiane e gjithë rajonit, duhet të na bëjë bashkë për të kapërcyer sfidat.
Kështu u shpreh sot Ministrja e Integrimit Evropian,  Klajda Gjosha, gjatë një takimi me  homologun kosovar, Gëzim Kasapolli.
Bashkëbiseduesit theksuan se marrëdhëniet e shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve, janë një shtysë shumë e fortë për të  qenë krah njëri- tjetrit në procesin e integrimit evropian.
Ministrja Gjosha nënvizoi se duke thelluar bashkëpunimin Shqipëria dhe Kosova mund të hedhin hapa përpara në këtë proces. "Sigurisht që vendet tona  janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit, por perspektiva e qartë e së ardhmes për ne dhe gjithë rajonin, duhet të na bëjë sot me shumë se asnjëherë më parë të  jemi krah njëri-tjetrit në këtë rrugëtim. Shqipëria  ka çfarë t'i ofrojë Kosovës sidomos në nivel teknik", tha ministrja.
Ministri i Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës, Gëzim Kasapolli, u shpreh se është me shumë rëndësi ndërtimi i një platforme të përbashkët  mes dy vendeve për procesin e integrimit. "Në këtë mënyrë  ne do të shmangnim dublifikimin e procesit, por do të jepnim edhe një mesazh të qartë rajonal  se  bashkëpunimi mes gjithë vendeve tona i shërben të ardhmes tonë në Bashkimin Evropian", tha ai.
Ministrja Gjosha u shpreh se vendet aspirantë për në Bashkimin Evropian, kanë përpara sfida të mëdha dhe vazhdimësia e reformave është e domosdoshme për t'i kapërcyer sa më shpejt ato.
Bashkëbiseduesit nënvizuan se zhvillimi i gjithanshëm ekonomik, social- kulturor në Shqipëri dhe Kosovë është kontributi më i mirë për integrimin evropian rajonal. /ATSH/