ELBASAN - Ministrja e Integrimi, Klajda Gjosha ka nisur një tur takimesh me studentë në rrethe, me synim përfshirjen e të rinjve në procesin e integrimit. Takim e parë Gjosha e ka pasur me studentë të të gjithë fakulteteve të Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit, Gjosha ushpreh se përfshirja e studenteve në procesin e integrimit ka rëndësi të veçantë.

“Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian varet nga ju. Jeni pjesa më e rëndësishme e gjithë procesit. Unë nuk jam sot këtu të mbaj leksione, por kam kënaqësinë të ndaj me ju ide dhe mendime në lidhje me procesin e integrimit në mënyrë që të gjithë bashkë të bëjmë çfarë është e mundur për të rritur standardet, për të përmirësuar gjërat aty ku është nevoja”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja e Integrimit shpjegoi edhe rolin e Ministrisë së Integrimit në mbarëvajtjen e procesit duke theksuar se MIE ka rol koordinues me të gjitha ministritë e linjës, institucionet e pavarura dhe të gjithë aktorët, por nuk zbaton në mënyrë të drejtpërdrejtë asnjë reformë.

“Dua t’ju sqaroj se kemi të bëjmë me një proces i cili shpesh keqkuptohet duke e ndarë dhe perceptuar si të ndarë apo me shumë kushte për tu plotësuar. Nuk është kështu. Integrimi i vendit  nuk matet me datat apo afatet apo muajin qershor i cili po përflitet së fundmi. Nuk do të ketë asnjë ndryshim madhor nëse statusi merret në muajin qershor apo jo. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria ka më shumë standarde apo do të tërheqë më shumë fonde. Nuk përbën asnjë ndryshim ky apo ai muaj. Për ne rëndësi ka që Shqipëria të evropianizohet brenda saj, duke realizuar reformat në të gjitha fushat”, u shpreh ministrja Gjosha.

Duke u ndalur tek statusi i vendit kandidat, Gjosha tha se vendimi për statusin shpesh i kalon teknikalitetet dhe diskutimet e qëndrimet për të marrin karakter politik.

“Për sa na takon, duhet të jemi të vendosur të bëjmë maksimumin që jo vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni të ecë drejt Evropës së Bashkuar”, u shpreh ministrja.

Ndër të tjera studentët kanë pyetur edhe për konsensusin mes palëve dhe sa e rëndësishme është kjo në procesin e integrimit.

 “Ne e kemi ftuar opozitën të jetë pjesë e vendimmarrjes hap pas hapi. Por, nuk mjafton vetëm vullneti i maxhorancës, duhet vullnet i gjithë palëve. Ajo çka unë sot do doja t’ju përcillja është fakti se pikërisht të rinjtë duhet të japin kontributin e tyre në mënyrë që të ndryshojë kultura politike në Shqipëri. Vetëm në gjuhën e konsensusit vendi do të ecë përpara me reformat”, tha ministrja Gjosha.

Ministrja Klajda Gjosha do të vijojë takimet me studentët në të gjitha rrethet e Shqipërisë. 

Redaksia online
(esh.shqiptarja.com)