Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha është shprehur se sa më i shpejtë të jetë zbatimi i Reformës në Drejtësi, aq më shumë do të shkurtohet rruga për aspiratën europiane.
 
Gjosha, mori pjesë në Konferencën “Reforma në sistemin e drejtësisë, sfidë dhe domosdoshmëri për integrimin e Shqipërisë në BE” e cila u zhvillua në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë e cila u organizua me bashkëpunimin e Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Firences.

Ministrja e Integrimi  e ka cilësuar Reformën në Drejtësi si guri më i rëndësishëm i themelit jo vetëm për krijimin e shtetit të së drejtës por edhe e transformimit të shoqërisë sonë. Sipas saj  partnerët ndërkombëtarë, i shohin rezultatet e kësaj reforme si testin më të mirë që Shqipëria ka përpara, për të dëshmuar standarde në forcimin e demokracisë në vend.
 
“Këto rezultate do ta bëjnë gjithashtu vendin tonë, një vend më të besueshëm për investitorët, çka tregon se efektet e reformës janë gjerësisht të prekshme nga qytetarët, për sa kohë çdo investim i huaj në vend do të thotë më shumë zhvillim dhe mundësi punësimi për ta”, tha ministrja.
 
 Ministrja shtoi se reforma në drejtësi i jep udhë gjithashtu zgjidhjes së një sërë problemesh me çështjet e pronës, të cilat kanë qenë kushte të vendosura nga Bashkimi Europian për të çuar përpara procesin e integrimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm, që e gjithë paketa ligjore do të kërkojë kohën e saj të zbatohet, ndaj nevojitet vullneti më maksimal i të gjithë aktorëve, në mënyrë që të kapërcehen pengesat e panevojshme”, tha Gjosha.

 
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)