Gjuetia e paligjshme po shtohet çdo ditë e më shumë. Laguna e Nartës është kthyer në një zonë ku gjuetia e shpendëve ka marrë përmasa alarmante. Edhe pse është një zonë nën administrimin e Zonave të Mbrojtura, në praktikë ajo rezulton të jetë më e pambrojtur se kudo tjetër.
Pamjet në terren flasin vetë: me qindra fishekë të shpërndarë në tokë, kasolle të improvizuara dhe imitues shpendësh që përdoren për t’i tërhequr dhe më pas për t’i vrarë. Kjo situatë përbën një shkelje të hapur të ligjit dhe një kërcënim serioz për biodiversitetin e zonës.
Prej gati një muaji, gjuetia e shpendëve në Lagunën e Nartës ka “lulëzuar”. Çdo natë dëgjohen të shtëna armësh, sikur të ishte festë, ndërkohë që natyra po shkatërrohet.
Që prej momentit kur administrimi i zonës kaloi në duart e Zonave të Mbrojtura, kjo situatë është përkeqësuar ndjeshëm.
Kërkohet reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse, shtim i kontrolleve në terren dhe ndëshkim i atyre që shkelin ligjin. Laguna e Nartës nuk mund të vazhdojë të jetë viktimë e abuzimit dhe neglizhencës.
Komente










