Ekspertë të huaj veterinarë, pritet të vinë në Shqipëri, për të asistuar autoritetet shqiptare në lidhje me masat që duhen marrë për parandalimin e sëmundjes "Gjuha blu", që ka prekur tashmë kafshët blegtorale në disa zona të vendit tonë.

Këtë e konfirmoi sot Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Sëmundja virale "Gjuha blu", që është përhapur tashmë edhe në vende të tjera të rajonit, mund të konsiderohet një rrezik i kaluar deri në pranverën e ardhshme. Ndërsa ulja e temperaturave bën që miza shkaktare e këtij virusi të ngordhë, duke frenuar kështu dhe infeksionin.

Sipas të dhënave nga ministria e Bujqësisë, sëmundja e "Gjuhës blu" shkaktoi rreth 1000 krerë bagëti të ngordhura. Ndërsa dikasteri i bujqësisë ka filluar pagesat e fermerëve për çdo krerë bagëti të ngordhur nga kjo sëmundje dhe pritet që brenda vitit të dëmshpërblehen të gjithë blegtorët.

Prejardhja e virusit dhe depërtimi i tij në rajon
Kjo është një sëmundje e panjohur për Europën, Mesdheun, për herë të parë është shfaqur në vitin 2000. Hipoteza që lidhet me shfaqien e kësaj sëmundje janë ndryshimet klimatike, kemi pasur një ngrohje të qëndrueshme të motit, një rritje mesatare të temperaturave deri në 2 gradë Celsius. Ngrohja globale ka bërë që të prishen shumë ekuilibra ekologjikë dhe këto mbartës të infeksioneve që arealin në zonën e tryre e kanë pasur Afrikën, siç është mushkonja në fjalë, të depërtojë në Europë në vitin 2000. Insekti mbart dhe një virus që është virusi i gjuhës blu ose ethja katarale. Ka prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqipërinë. Bëhet fjalë për një epidemi, ka prekur bagëtitë e imëta. Është sëmundje që nuk prek në mënyrë kategorike njeriun. Përqëndrohet tek bagëtitë e imëta që ka një ngordhshmëri 3% të bagëtive të prekura. Ky nivel mund të ulet nëse blegtorët ndjekin me rigorizitet udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë.

Kafsha e prekur nga sëmundja duhet izoluar dhe trajtuar deri sa të shërohet. Nëse ngordh duhet groposur ose djegur. Nuk duhet konsumuar sepse nuk është normale që një kafshë e sëmurë të hidhet për konsum dhe pse nuk bëhet fjalë për një rrezik shëndetësorpër konsumatorët.

Inspektorët veterinarë janë vazhdimisht nëpër tregje dhe pranë tufave ku po monitorojnë situatën. Ata janë në gjendje të dallojnë mjaft mirë praninë e një mishi të sëmurë në tregje pasi ka shenja karakteristika që bëjnë diferencimin. Kafshët janë të identifikuara dhe të regjistruara nëpërmjet matrikulave.

Kjo sëmundje nuk ka qenë e përfshirë në skemat e kompensimit pasi vetëm sëmundjet e transmetueshme nga kafsha tek njeriu sipas ligjit veterinar janë të kompensueshme ku përfshiheshin bruceloza, plasja, turbekulozi. Por duke pas parasysh ndjeshmërinë e madhe dhe dëmet që shkaktoi tek fermerët unë vendosa me një urdhër të posaçëm që kafshët e sëmura dhe ato që ngordhin të kompensohen me vlerën e tregut 10. 000 lekë të reja dhe pagesat kanë filluar. Është vlerësuar që rreth 1000 krerë bagëti janë tashmë subjekt i kompensimit pasi rezultojnë të ngordhura. Vetëm në qarkun e Elbasanit janë bërë 200 pagesa, po avancohet dhe në qarkun e Korçës pasi këto kanë qenë dy qarqet më të prekura. Unë mendoj që brenda vitit do të dëmshpërblehen plotësisht të gjithë blegtorët që janë dëmtuar nga sëmundja.

ATSH