TIRANË, 30 Shtator /ATSH/ -Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh sot se, "Ministria e Bujqësisë ka marrë masa shumë energjike për sëmundjen e gjuhës blu".
Në një prononcim për mediat nga qyteti i Shkodrës, ku përuroi godinën e re të AKU-së, Panariti u shpreh se, "Sëmundja e gjuhës blu është një sëmundje që ka prekur të gjithë rajonin. Ka qenë një dramë për të gjithë Mesdheun. Vende si Greqia dhe Italia janë prekur shumë më rëndë".
Ne, vijoi Panariti, "kemi marrë masa shumë energjike. Kemi shpërndarë manualin për të gjithë fermerët, kemi marrë masa që të parandalohet sëmundja , me veçimin e krerëve të sëmura dhe groposjen e kafshëve të ngordhura sipas kritereve të caktuara".
Ministri Panariti theksoi se, "nuk mund të përdoret vaksina në këtë moment, pasi përdorimi në shtetet fqinje, jo vetëm që nuk ka parandaluar , por edhe ka ndihmuar në përhapjen e infeksionit, kështu masat që kemi marrë janë të vetmet që mund të parandalojnë sëmundjen".
Ai  gjithashtu ka theksuar se ka filluar kompensimi I fermerëve të prekur nga kjo sëmundje.
"Në asnjë nga vendet e rajonit ku sëmundja ka bërë dëme, nuk janë kompensuar fermerët që kanë pasur dëme nga kjo sëmundje. Për shkak të insistimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe timit personal është përdorur një fond i emergjencës për të kompensuar fermerët që kanë pasur humbje në kafshë nga kjo sëmundje".
"Ka filluar kompensimi në qarkun e Korçës, Elbasanit dhe tashmë edhe në Shkodër. Kriter kryesor për pagesën do të jetë, evidentimi nga laboratorët veterinarë të AKU-së që kafshët kanë ngordhur nga kjo sëmundje, dhe më pas groposja e tyre sipas të gjitha kritereve"., tha Ministri Panariti  e.xh/f.n/