Sikur Zeusi të kishte zgjedhur një fushë futbolli në vend të malit Olimp, emri i tij ndoshta do të ishte Lionel Messi. Në moshën 38-vjeçare, argjentinasi vazhdon të sfidojë kohën dhe logjikën, duke shkruar histori aty ku të tjerët vetëm ëndërrojnë të lënë gjurmë. Tre golat ndaj Algjerisë nuk ishin thjesht një hat-trick, por një tjetër dëshmi se Messi mbetet një figurë pothuajse hyjnore në panteonin e futbollit botëror.

Kundër Algjerisë Messi realizoi ‘tripletën’ e parë në ë Botëror, duke shtuar një tjetër kapitull të artë në legjendën e tij. Me këtë paraqitje Messi barazoi rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose me 16 gola në historinë e Botërorëve, duke u ngjitur në krye të listës së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave në turneun më të rëndësishëm të futbollit.

Në moshën 38-vjeçare, argjentinasi u bë gjithashtu lojtari më i vjetër që realizon një hat-trick në një Botëror, duke shtuar një tjetër rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Botërori 2026 po rezulton historik edhe për një arsye tjetër: Messi është futbollisti i parë që merr pjesë në gjashtë Kupa Bote, një rekord që mund të barazohet sonte nga Ronaldo.

Mbrëmja ndaj Algjerisë kishte një simbolikë të veçantë edhe për një tjetër shifër të rrumbullakosur. Ajo ishte paraqitja e 200-të e Messit me fanellën e Argjentinës, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga ikonat më të mëdha që ka njohur futbolli botëror.

Po të mos ishin lotët pas golit të parë shumë do të mendonin se është jashtëtokësor, ndërsa pas ndeshjes tha se ‘qau për një arsye që nuk lidhet me futbollin, por jetën e tij’. Sado i pavdekshëm të duket në fushë edhe legjendat e kanë një fund. Dhe për fat të keq për Messi-n nuk është larg, pasi vitet nuk falin askënd.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU