Gjuha, "Standardi" monument
i kulturës shqiptare!

Gjuha, "Standardi" monument <br />i kulturës shqiptare!
E di: Është paksa i ashpër ky zë dhe kjo e ka një shkak: Ashpërsia e këtij zëri buron nga një shpirt i trazuar, që e sheh Shqipërinë hallemadhe të gremiset gjithnjë e më thellë në humnerën e mjerimit material e shpirtëror, që dëgjon veç zëra kukuvajkash për të kaluarën tonë të lavdishme dhe klithmën zëçjerrëse për "rishkrimin e historisë" së Shqipërisë nga e para.
Duket se, pasi u rrëzuan njëri pas tjetrit bustet dhe përmendoret që patën përjetësuar shpirtin antifashist të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpirt që na bashkoi me rrjedhat e qytetërimit europian, radhën e ka një monument tjetër-Monumenti i kulturës shqiptare, që nuk i përket vetëm gjysmës së dytë të shekullit XX, por gjithë shekujve, qëkur ka zënë të shkruhet gjuha shqipe! Dhe ky është "standardi" i shumëpërfolur, ose "gjuha e njësuar".
Fakti që sulmi kundër këtij Monumenti ka nisur, pothuaj, në të njëjtën kohë me sulmin ndaj busteve e përmendoreve që përjetësonin heroizmin partizan, dëshmon se edhe ky ka një prapavijë politike: Bëhet me qëllim që ta çojë deri në fund betejën për të fshirë nga kujtesa historike e shqiptarëve çdo gjë të mirë që arritën ata gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ku gjuha e njësuar zë një vend të veçantë.
"Ju jeni nostalgjike e asaj kohe që politizoi skajshëm…edhe gjuhën e standardin-e "akuzonte" pedagogen e sociolinguistikës në Universitetin e Tiranës-Kristina Jorgaqin në "Gazeta shqiptare" më 23 janar 2012, Marian Shestani nga i ashtuquajturi "Institut i Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe" (?!) dhe më tej, duke bërë edhe ky politikë në një debat shkencor, shton: "Megjithatë, …ju jam mirënjohës se, ma në fund, pohuet me gojën tuaj kriteret politike e krahinore që keni vu në bazë të atij standardi që mbroni".
Dhe vazhdohet të bëhet politikë e jo shkencë nga grupe gjuhëtarësh të tipit të Marian Shestanit, të cilët përpiqen të glorifikojnë njërin dialekt-gegërishten, duke e paraqitur atë si më superior ndaj tjetrit-toskërishtes, kur dihet se të dy dialektet kryesore të shqipes: Gegërishtja e toskërishtja, janë vlera të padiskutueshme, do të thonim të barazvlefshme, të cilat, historikisht, kanë marrë e kanë dhënë me njëri-tjetrin, duke u pasuruar e duke u bërë gjithnjë e më të kuptueshëm për të gjithë shqiptarët.
Rrjedhojë e kësaj rruge të gjatë ishte edhe Kongresi i Drejtshkrimit të shqipes i vitit 1972, i cili realizoi ëndrrën e kahershme të mendjeve të ndritura të kulturës shqiptare: Vuri themelet e gjuhës së njësuar shqipe. Dhe të ngrihesh sot kundër vendimeve të atij Kongresi, të cilin Marian Shestani me shokë e quan "Kongres famëkeq" do të thotë të ngrihesh kundër brezit më të shquar të gjuhëtarëve shqiptarë, me Eqerem Çabejn në ballë, të cilët i nënshkruan ato vendime me besimin se po i kontribuonin kulturës sonë dhe bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Të frymëzuar nga "platforma" e të ashtuquajturit "Institut i Promovimit të Vlerave të Gjuhës Shqipe"(?!), një grup gjuhëtarësh, të njohur e më pak të njohur për kontribute në shkencat albanologjike, në dhjetor të vitit të kaluar, organizuan konferencën gjuhësore me temë qendrore "Gegnishtja sot". Dhe një temë e tillë flet shumë. Ajo tregon se këtë grup gjuhëtarësh nuk e preokuponte, ta zëmë, "rreziku i vërshimit të fjalëve të huaja në shqipen e sotme", por "fati" i gegërishtës, e cila, sipas këtyre gjuhëtarëve, "ishte goditur rëndë nga stan dardi". (?!)
Kaq i madh ishte "shqetësimi" i këtyre gjuhëtarëve për shqipen e shkruar, sa shtronin pyetjen marramendëse: "Gegërishtja, apo standardi"? (?!).Dhe pastaj shkonin më tej në mendimet e tyre të mbrapshta: Kërkonin një Kongres tjetër Drejtshkrimi, për të varrosur Kongresin e nëntorit të vitit 1972, që "i shkriu" në një të dy dialektet e shqipes dhe për të vënë në themel të gjuhës së njësuar "gegnishten". Kërkonin, pra, rrëzimin e një monumenti tjetër, pas atyre që u rrëzuan pas viteve nëntëdhjetë.
Dhe, për ta rrëzuar këtë monument, këta gjuhëtarë, "të zgjedhur si me dorë", derdhnin lotë për gegërishtën, ndaj së cilës, sipas tyre, "është bërë mëkat, krim, apo edhe masakër" dhe e gjithë kjo "për faj të standardit". Prandaj gjuhëtarët Willy Kamsi e Sefedin Trungu-alergjikë ndaj standardit, kërkonin "një kongres të ri për gjuhën shqipe". Në këtë linjë ishin edhe Ardian Marashi-drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike, i cili u shpreh: "Të detyrosh me ligj një dialekt të vdiret (shkatërrohet) është një krim kulturor".
("Gazeta shqiptare", 20 dhjetor 2011)
Por pati edhe një zë ndryshe në atë konferencë gjuhësore. Ishte zëri i Emin Rizës-djalit të gjuhëtarit të Selman Riza, i cili, duke iu përgjigjur akuzave të Bahri Becit për Komisionin Ndërakademik për Gjuhën, u shpreh: "Kemi një gjuhë të përbashkët që duhet ta duam. Çdo vend i Europës e ka një të tillë, ndaj, vëllezër, nuk duhet ta prekim standardin, sepse çdo standard bazat i ka tek një dialekt…gjuha e përbashkët është e domosdoshme"! (Po aty)
Këtë zë duket se e ka dëgjuar disi këto kohët e fundit edhe mbrojtësi më i flaktë i gegërishtes, pra edhe i kërkesës për ta vënë atë në themel të normave të drejtshkrimit të shqipes në një Kongres tjetër-gjuhëtari Kolec Topalli, i cili ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, ku edhe ka diskutuar bashkë me shkruesin e këtyre radhëve, veç me kahje të kundërt.
Kjo duket, siç konstatonte gazetari M. Nano në gazetën "Shqip", kur, në një intervistë të tij të kohëve të fundit, deklaronte se "nuk bëhet fjalë për të ndryshuar standardin; nuk bëhet fjalë për të krijuar një standard të ri; nuk bëhet fjalë që Kosova të ketë një standard e ne një tjetër. Jo! Ky do të ishte gabimi më i madh…" Dhe më tej shtonte: "Nëse sot trojet shqiptare janë të ndara, le të bashkohemi në gjuhën e përbashkët…"!
Duke dashur të mos dyshoj se kjo deklaratë është bërë sa për të kaluar stuhia e reagimeve kundër një "Kongresi të Ri të Drejtshkrimit", që do të rrëzonte Monumentin që ngritën gjuhëtarët shqiptarë në nëntor të vitit 1972, unë do të thërrisja i gëzuar: "Të lumtë, Kolec Topalli! Zëri yt duket se vjen në unison me zërin e Emin Rizës dhe të shumë shokëve të tij, si Xhevat Lloshi, Emil Lafe, Rami Memushaj e të tjerë, të cilët gjuhën e njësuar shqipe e quajnë një fitore historike të popullit shqiptar, që nuk duhet të lëmë të vdaret"!
Se, siç shkruante në "Shqip", më 06.07.2012, gazetari Mustafa Nano, "Sikur kjo frazë të ishte thënë menjëherë (në Komisionin Ndërakademik për gjuhën shqipe-shënimi im), do të ishin kursyer nerva, energji, shpërthime, spekullime, hamendje, përbetime tribale, qasje sektare, pickime jo fort akademike mes akademikësh".
Dhe duket se deklaratën e mësipërme ky gjuhëtar i nderuar e ka bërë sepse nuk do ta ketë harruar diskutimin miratues të tij në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, siç nuk duhet të ketë harruar edhe diskutimin tim "heretik"në atë Kongres, në të cilin pata mbrojtur me zjarr "djaloshar" kërkesën për të vënë në themel të parimeve dhe të normave të drejtshkrimit të shqipes gegërishten. Nuk duhet të ketë harruar as paragrafin e fundit të diskutimit tim në atë Kongres, kur theksova:
"Pasi po e shoh se mendimet e mia po shkaktojnë pëshpëritje në sallë, po e mbyll diskutimin me një devizë të popujve të Lindjes: "Tue rrudhë vetullat, unë dënoj me nji përbuzje të akullt gishtin e dinjitarit që më dënon. Por, tue ulë kokën, unë jam gati, si buelli, me i shërbye foshnjës". (shih librin "Faqe nga visari leksikor i Mirditës", f. 190)
Komenti për këtë paragraf është i tepërt në një shkrim të kësaj natyre, por një gjë duhet thënë. Autori 37-vjeçar në ato momente, mendoi se duhej respektuar mendimi i shumicës, se duheshin respektuar pedagogët e tij të nderuar: Eqerem Çabej, Mahir Domi, Androkli Kostallari, Shaban Demiraj e të tjerë gjuhëtarë të shquar nga Kosova e diaspora, që vunë firmat e tyre në atë Kongres historik! Se nuk është njohur në historinë e popujve që të kërkohet ndryshimi i gjuhës, sa herë ndryshojnë tipet e shtetit, pavarësisht se ajo bëhet më e bukur dhe më e begatë në rrjedhën e shekujve! Dhe e tillë ajo nuk bëhet duke u përpjekur për ta arnuar stinë pas stine, por duke e ruajtur e pasuruar atë
në rrjedhat e kohës!
Dhe kur Primo Shllaku-drejtor i të ashtuquajturit "Institut i Promovimit të Vlerave të Gjuhës shqipe", arrin të thotë se "Kongresi i Drejtshkrimit ishte politik", se edhe "Lasgushi nuk mund të shpjegohet me standardin", duhet dëgjuar Akademiku i shquar Rexhep Qosja, i cili, duke folur për njëfarë "Komisioni Ndërakademik të Gjuhës Shqipe', të kryesuar nga Jani Thomai, shprehet qartë e me përgjegjësi historike:
"Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe krijimi i Gjuhës Letrare shënon shkallën më të lartë në zhvillimin e qytetërimit tone. Gjuha Letrare është e arritura më e çmuar e procesit historik të zhvillimit të vetëdijes të popullit shqiptar, të kulturës, të letërsisë e të gjuhës së tij".

(Autori i shkrimit është pjesëmarrës në kongresin e Drejtshkrimit 1972. Më vonë u dënua nga shteti komunist si përkrahës i ideve të Arshi Pipës për gegërishten. dh.h.)

Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë