Qeveria e Venezuelës e ka rritur në 920 të vdekur dhe 2.980 të plagosur bilancin e tërmetit të së mërkurës në mbrëmje. Në La Guaira, shteti më i goditur nga tërmeti, janë shembur të paktën 100 ndërtesa sipas burimeve qeveritare.
Në të njëjtin qytet një grua u nxor e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur, pothuajse 36 orë pas dy lëkundjeve të fuqishme të tërmetit.
Duke folur para kamerës së BBC vetëm pak çaste pas shpëtimit, ndërsa ndodhej ende në një barrelë, ajo tregoi se kishte qëndruar e kapur pas kornizës së derës "derisa të gjitha katet e ndërtesës u shembën".
Operacionet e kërkim shpëtimit vijojnë, teksa forca të shumtatë specializuara të shteteve të ndryshme Si SHBA, Zvicra, Turqia Italia apo Spanja që janë nisur ose kanë mbërritur në Venezuelë.
Pritshmëritë për bilancin e të vdekurve fatkeqësisht pritet të rriten. Në vend rezultojnë gjithashtu edhe 50 mijë të zhdukur. Ata janë raportuar në faqe të krijuara në internet menjëherë pas tërmetit nga organizata të cilat u japin mundësi të afërmve të bëjne vetëdeklarim të personave që kanë humbur kontaktet pas dy tërmeteve vdekjeprurës.
Spitalet paraiten në kolaps, me mungesë ambulancash, ilaçesh dhe materialesh të ndihmës së parë, ndërsa repartet e urgjencës janë improvizuar, shpesh edhe në rrugë. CNN, i cili bisedoi me specialist të politikave të shendetit publik thotë se kjo është gjendja e emergjencës shëndetësore tashmënë Venezuelë, një vend që prej kohësh ndodhet në krizë për shkak të viteve të degradimit të sistemit shëndetësor dhe mungesës së investimeve.
![]()
Lëkundje të tjera me magnitudë të lartë mund të ndodhin në ditët në vijim në Venezuelë, pas dy tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 që goditën vendin gjatë natës mes 24 dhe 25 qershorit.
Kështu deklaroi për ANSA-n Salvatore Stramondo, drejtori i Departamentit të Tërmeteve në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Itali (INGV).
"Nuk mund të parashikojmë me siguri se çfarë do të ndodhë," theksoi eksperti, "por modelet tona probabilistike tregojnë se ka shumë gjasa të regjistrohen lëkundje të reja me magnitudë të paktën 6.0."
Ndërsa në orët e para pas tërmetit të dhënat e disponueshme kishin një shkallë të caktuar pasigurie, edhe për shkak të numrit të kufizuar të stacioneve të monitorimit në rrjetin lokal, tani INGV dhe shumë institute të tjera në mbarë botën po marrin informacione të reja që ndihmojnë për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur.
"Po marrim të dhëna të tjera interesante nga satelitët," tha Stramondo. "Pamja e përgjithshme po bëhet gjithnjë e më e qartë."

Ekipet ndërkombëtare të shpëtimit kanë nisur të mbërrijnë në Venezuelë për të mbështetur operacionet në terren. Sipas transmetuesit shtetëror VTV, një grup prej 80 shpëtimtarësh nga Zvicra mbërriti mëngjesin e sotëm në vend. Delegacioni zviceran përfshin specialistë të kërkim-shpëtimit, 18 tonë ndihma dhe tetë qen kërkimi.
Ndërkohë, Turqia njoftoi se gjatë ditës së sotme do të nisen nga Stambolli dy fluturime me personel ushtarak, mjekësor dhe ekipe shpëtimi, si edhe dy qen kërkimi. Edhe Holanda bëri të ditur se po dërgon një ekip me 65 punonjës të shpëtimit, qen kërkimi dhe pajisjet e nevojshme.
Shtatë futbollistë të ekipeve të moshave të kombëtares së Venezuelës rezultojnë ende të zhdukur pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin.
Mes tyre është edhe Yimvert Berroteran, mesfushori 18-vjeçar i kombëtares U-20 dhe i klubit Universidad Central de Venezuela (UCV), për të cilin nuk ka më asnjë lajm që pas lëkundjeve sizmike që shkatërruan shtetin La Guaira.
Federata Venezueliane e Futbollit (FVF) dhe klubi i tij kanë bërë thirrje përmes kanaleve të tyre zyrtare, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende pa rezultat.
Sipas FVF-së, mes të rinjve që rezultojnë ende të pagjetur është edhe José Manuel Pimentel Berrios, 16 vjeç, i cili është parë për herë të fundit në Macuto.
Një foshnjë e porsalindur është nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në La Guaira, një nga zonat më të goditura nga tërmeti shkatërrues që goditi Venezuelën.
Shpëtimi i saj përbën një nga shenjat e para të shpresës që nga fillimi i emergjencës. Sipas informacioneve paraprake, foshnja u gjet nga disa persona që arritën të shpëtonin nga ndërtesa e shembur, të cilët e nxorën nga rrënojat pak para mbërritjes së ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit.
Videoja e shpëtimit, me një kohëzgjatje prej pak më pak se 30 sekondash, u bë shpejt virale në rrjetet sociale, duke prekur zemrat e mijëra njerëzve dhe duke nxitur mesazhe solidariteti nga e gjithë bota.

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht sanksionet ndaj Venezuelës për të lehtësuar operacionet e ndihmës në zonat e goditura nga tërmeti.
Konkretisht, Uashingtoni ka autorizuar kryerjen e transaksioneve drejt Venezuelës, të cilat zakonisht ndalohen nga sanksionet, me kusht që ato të lidhen me “operacionet e ndihmës humanitare”.
Departamenti i Thesarit i SHBA-ve ka lëshuar një urdhër që lejon këto transaksione deri më 23 tetor 2026.
Që nga arrestimi i ish-presidentit Nicolás Maduro në janar të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar vetëm një numër të kufizuar autorizimesh dhe licencash për shfrytëzimin dhe tregtimin e naftës, në bashkëpunim me presidenten e përkohshme Delcy Rodríguez. Ky veprim përfaqëson një lehtësim të pjesshëm të regjimit të sanksioneve ndaj Venezuelës.
Një grua është nxjerrë e gjallë nga rrënojat 24 orë pas dy tërmeteve në Venezuelë. Ngjarja ndodhi në Chacao, një nga zonat më të goditura nga lëkundjet sizmike.
Lajmin e bëri të ditur në rrjetet sociale kryetari i bashkisë, Gustavo Duque. “Ndodhemi pranë ndërtesës Don Pepe, ku, fatmirësisht, po shpëtojmë një banore. Zoti është i madh”, deklaroi ai nga jashtë godinës së shkatërruar.
Komente









