Dy tërmete të njëpasnjëshme kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 32 personave në Venezuelë, ndërsa të paktën 700 të tjerë janë plagosur, tha presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.
Tërmeti i parë kishte magnitudë 7.2, ndërsa i dyti, që goditi më pak se një minutë më vonë – ishte edhe më i fuqishëm, me magnitudë 7.5.
Epiqendra e lëkundjes së dytë ndodhej 23 kilometra në juglindje të Yumare, një qendër me rreth 20 mijë banorë pranë bregdetit, afërsisht 300 kilometra në perëndim të Caracas.
Në momentin e goditjes së tërmeteve, në Venezuelë po festohej një festë kombëtare, dhe shumë njerëz ndodheshin në shtëpi kur nisën lëkundjet, në orën 18:04 lokale.
Tërmetet u ndjenë në të gjithë vendin, si edhe deri në Bogotá, në Colombia. Ata janë pasuar nga më shumë se 20 paslëkundje.
Janë raportuar probleme serioze me sistemet e komunikimit në Caracas, Miranda dhe La Guaira.
Vështirësitë në kryerjen e telefonatave dhe në qasjen ndaj shërbimeve të internetit dhe të dhënave, sipas mediave lokale, kanë komplikuar komunikimin mes familjarëve, veçanërisht për venezuelianët që jetojnë në pjesë të tjera të vendit ose jashtë tij dhe që po përpiqen të marrin lajme për të afërmit e tyre në zonat e prekura.
Ndërprerjet e shërbimeve të telekomunikacionit janë të zakonshme pas tërmeteve me intensitet të lartë si ky, për shkak të ngarkesës së madhe dhe të njëkohshme mbi rrjetet, si edhe dëmtimeve të mundshme të infrastrukturës.
Megjithatë, deri tani, asnjë kompani telekomunikacioni nuk ka publikuar një deklaratë zyrtare lidhur me shkaqet e këtyre ndërprerjeve.
Lajm në përditësim…

Donald Trump ka reaguar në Truth Social lidhur me tërmetet në Venezuelë.
“Dy tërmetet e mëdha që sapo goditën popullin e madh të Venezuelës janë me përmasa gjigante dhe kanë lënë një numër shkatërrues viktimash.”
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë gati, të gatshme dhe të afta për të ndihmuar!”
Trump shtoi se ka “urdhëruar të gjitha agjencitë e qeverisë të përgatiten për të vepruar shpejt”.
“Ne do të jemi aty për miqtë tanë të rinj dhe të mëdhenj. Raportimet pararaprake nuk janë të mira!!!”
Deri tani nuk ka raportime zyrtare publike për numrin e viktimave.
Ndërkohë, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha se vendi po dërgon “menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, burime mjekësore dhe ndihmë humanitare” drejt Venezuelës.
Janë publikuar pamje që tregojnë njerëz duke vrapuar nëpër korridoret e aeroportit kryesor ndërkombëtar të Venezuelës, në momentin kur goditi tërmeti, ndërsa përpiqeshin të mbroheshin nga mbeturinat dhe copat e materialeve që binin nga lart.
Pamjet ilustrojnë panikun dhe kaosin që përfshiu Maiquetía International Airport gjatë lëkundjeve sizmike, teksa udhëtarët dhe personeli kërkonin strehim dhe siguri.
Aeroporti është mbyllur për shkak të “dëmtimeve serioze” të shkaktuara nga tërmeti, sipas deklaratës së Delcy Rodríguez.

María Corina Machado, fituese e çmimit Nobel për Paqen dhe lidere e opozitës në Venezuela, ka publikuar një deklaratë pas tërmetit.
“Zemra ime, përqafimi im i pafund dhe lutjet e mia janë me çdo familje venezueliane në këto orë ankthi”, shkruan ajo në një postim në X.
“Uroj që forca, qetësia dhe solidariteti të mbizotërojnë mes nesh përballë këtij momenti të vështirë”, vazhdon ajo, duke shtuar: “Zoti e mbroftë çdo venezuelian, familjet tona dhe shtëpitë tona. Sot jemi më të bashkuar se kurrë.”

Presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas goditjes së vendit nga dy tërmete të njëpasnjëshme dhe të fuqishme, me magnitude 7.2 dhe 7.5.
Ajo gjithashtu caktoi një gjeneral për të mbikëqyrur operacionet e reagimit ndaj gjendjes së emergjencës.
Rodríguez po udhëheq vendin në mënyrë të përkohshme që nga janari, kur paraardhësi i saj, Nicolás Maduro, u arrestua nga forcat amerikane dhe u dërgua në Neë York për t’u përballur me gjyq nën akuza për trafik droge.
Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje mbi të gjitha për unitet nga populli venezuelian.
Ajo gjithashtu shprehu ngushëllimet e saj për familjet që kanë humbur të afërm nga tërmeti, pa dhënë një numër zyrtar të viktimave.
Komente








