TIRANE - “Gjykata përfundimisht vendosi: Deklarimin fajtor për Xhelal Mziun dhe dënimin e tij me 2 vite burgim”. Do të arrestohet apo jo Xhelal Mziu pas këtij dënimi me dy vite burgim dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike? Fati i kryebashkiakut të Kamzës të cilin Partia Demokratike e rikonfirmoi si kandidat për zgjedhjet e 21 qershorit do të vendoset në Gjykatën e Apelit, pasi vendimi i dhënë një ditë më parë nuk konsiderohet i formës së prerë.

Denimin e Mziut, avokati i tij, Genci Gjokutaj e konsideroi te stisur, te pabazuar ne prova e fakte.

“Kemi të bëjmë me një proces jo ligjor të pabazuar në provat e analizuara në proces dhe pa frikë mund të themi që është një proces i stisur. Që të deklarosh fajtor një kryetar bashkie për veprën penale të shpërdorimit të detyrës së paru duhet të kesh një pasojë”, tha Gjokutaj.

Ndërsa pritet që brenda javës së ardhshme ky apel të dorëzohet në gjykat, procedurialisht është Gjykata e Apelit ajo që do të caktojë një datë për zhvillimin e procesit, ku referuar shqyrtimit të çështjeve penale në Apel ky proces mund të përfundojë brenda majit.

Nëse Apeli vendos të lërë në fuqi vendimin e dhënë një ditë më parë atëherë ky vendim merr formë të prerë dhe kryebashkiaku i Kamzës arrestohet dhe dërgohet në burg, ndërsa nuk përjashtohet dhe vendimmarrja e prishjes së vendimet dhe kthimit të tij sërish në shkallë të parë apo shpallje pafajësie.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)