TIRANE - Erjon Veliaj është funksionari i parë i Partisë Socialiste që fiton një gjyq për shpifje, që kur Edi Rama njoftoi themelimin e "Fondit të Edukimit" në Partinë Socialiste. Gjykata e Tiranës vendosi këtë të martë që të detyrojë këshilltarin Bashkiak të PD-së, Akil Krajën t’i paguajë një dëmshpërblim moral prej 1 milion lekësh kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj kishte hedhur ne gjyq për shpifje, Akil Krajën pasi ky i fundit kishte deklaruar publikisht se Bashkia Tiranë kishte rritur çmimin e ujit në kryeqytet. Akil Kraja e quajti të padrejtë vendimin e Gjykatës. "Një vendim i cili nuk është në shërbim të interesave të qytetit, një shërbim i cili varros ato copa të fundit të demokracisë qytetare në Tiranë, i jep të drejtë propagandës në pushtet dhe dënon duke konsideruar si shpifje debatin për mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Në këtë rast, të mbrosh interesin e qyetarëve, rritjen abuzive me 40% të çmimit të ujit, sot përbën shpifje", tha Akil Kraja, këshilltar i PD, në Bashkinë e Tiranës.
Vendimi u mor paraditen e sotme dhe sipas verdiktit të gjykatës, PD-ja i detyrohet t’i paguajë një dëmshpërblim moral prej 1 milion lekësh kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Veliaj kishte hedhur ne gjyq per shpifje keshilltarin bashkiak te PD, Akil Kraja. Pas lajmit për dënimin për shpifje të PD-së, burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije se kryebashkiaku Veliaj ka vendosur që me dëmshpërblimin prej 1 milion lekësh të blejë dy kompjutera, të cilët do t’ia dhurojë nxënësve të shkollës “Isa Boletini” në Kodër-Kamëz.
Ky është rasti i parë që një vendim gjykate për shpifje shkon direkt në “Fondin e Edukimit”, i cili është krijuar për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore, nga çdo vendim që gjykatat do të japin kundër shpifjeve publike.
Edi Rama përshëndeti arkëtimet e para në "Fondin e Edukimit" e njoftoi se ai ka gati 12 padi. Ndërsa Lulzim Basha sulmoi gjyqtaren që vendosi në favor të Veliajt, duke e quajtur atë kamikaze të korruptuar.