Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian ka vendosur se të gjitha vendet e BE-së janë të detyruara të njohin martesat midis dy qytetarëve të së njëjtës gjini, të lidhura ligjërisht në një shtet tjetër të BE-së. Vendimi ka të bëjë me një çift homoseksualësh polakë të martuar në Gjermani, martesa e të cilëve nuk ishte njohur në vendin e tyre të origjinës. Dhe tani u imponon që ajo të regjistrohet (pra, të njihet) edhe në Poloni. Por nuk ndryshon asgjë për Italinë, i vetmi vend i Evropës Perëndimore që parashikon për ta një institucion të veçantë, bashkimet civile.
Rasti polak
Në vitin 2018 dy qytetarë polakë, që jetonin në Gjermani, u martuan në Berlin. Në përputhje me të drejtën gjermane, njëri prej tyre mori mbiemrin e tjetrit. Kur megjithatë kërkoi ta përditësonte emrin e ri edhe në Poloni, ku zotëronte dy pasuri të paluajtshme, mori përgjigje kontradiktore: një gjyqtar autorizoi përditësimin e certifikatës së pronësisë me emrin e ri, një tjetër jo. Pak më vonë çifti u transferua të jetonte në mënyrë të qëndrueshme në Poloni, ku njëri prej të dy burrave humbi punën dhe iu mohua sigurimi shëndetësor i bashkëshortit (i parashikuar normalisht për çiftet e martuara) sepse Polonia nuk e njihte martesën e tyre. Bashkëshortët atëherë kundërshtuan refuzimin përpara Gjykatës së Lartë Administrative polake, e cila iu drejtua Gjykatës së Drejtësisë së BE-së duke i kërkuar të vlerësonte nëse ndalimi polak për njohjen nuk ishte në kundërshtim me të drejtën e BE-së.
Pasojat për Poloninë
Gjykata e Drejtësisë së BE-së ka vendosur se po, ndalimi polak është në kundërshtim me të drejtën komunitare sepse cenon lirinë e qarkullimit dhe të qëndrimit (duke dhënë shkas për situata të ndryshme dhe kontradiktore, siç tregon rasti i certifikatave të pronësisë së pasurive të paluajtshme) dhe cenon të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Të gjitha shtetet anëtare janë pra të detyruara të njohin statusin martesor të fituar ligjërisht në një shtet tjetër anëtar, edhe në rastin e çifteve gay dhe lesbike. Sipas së drejtës së BE-së, me fjalë të tjera, nuk mund të pushosh së qeni i martuar sapo të kalosh kufirin e një shteti që është pjesë e Unionit. Por e drejta e BE-së u lë shteteve anëtare mundësinë të vendosin se si duhet ta njohin atë martesë, me kusht që të garantojnë të njëjtat të drejta.
Vendimi që e vë Italinë në pikëpyetje
"Polonia ishte dënuar tashmë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, (GJEDNJ), sepse nuk parashikon asnjë formë njohjeje për çiftet e së njëjtës gjini" shpjegon avokati Alexander Schuster, ekspert i së drejtës ndërkombëtare të familjes, i cili për këto çështje ka ndjekur shumë procese në gjykatat italiane dhe evropiane. "Çdo shtet i BE-së ka detyrimin të njohë jetën familjare të çifteve të së njëjtës gjini dhe të shmangë që ato të pësojnë diskriminime apo vështirësi për shkak të orientimit të tyre seksual". Këtë parim e kishte sanksionuar një vendim i vitit 2015 i një tjetër gjykate evropiane, pikërisht GJEDNJ, për një çift qytetarësh italianë.
Ndërsa Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (ajo e vendimit të sotëm) është organi gjyqësor i BE-së që mbron zbatimin uniform të të drejtës së Bashkimit Evropian në të 27 shtetet anëtare, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) është një gjykatë edhe më thelbësore, sepse garanton respektimin të drejtave të njeriut në 46 vendet që janë pjesë e Këshillit të Evropës.
GJEDNJ pra, që dhjetë vjet më parë në rastin Oliari, dënoi Italinë sepse nuk njihte asnjë formë ligjore bashkimi për çiftet e së njëjtës gjini. Qeveria Renzi, në 2016, futi bashkimet civile pikërisht për të zbatuar atë vendim. Dënimi i Italisë vlente edhe për vende të tjera të Këshillit të Evropës. Polonia u dënua përsëri këtë vit për moslegalizimin ende të bashkimeve të të njëjtit seks në asnjë mënyrë. Aktualisht vendet e BE-së që nuk i njohin çiftet e së njëjtës gjini janë vetëm Bullgaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së vlen për ta dhe i detyron të njohin martesat (ose bashkimet) e lidhura jashtë vendit. Në Evropë janë 22 vendet (BE dhe jo BE) që njohin martesën e barabartë. Italia ndërkohë dallohet sepse, si Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Hungaria, Letonia, Lituania, Monako, Mali i Zi dhe San Marino, parashikon bashkime civile.
Çfarë ndryshon tani për Poloninë
"Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së e detyron Poloninë të transkriptojë martesën e bashkëshortëve të martuar në Gjermani në regjistrat e vet të gjendjes civile, pra ta njohë atë, sepse nuk parashikon asnjë formë tjetër bashkimi", shpjegon avokati Schuster. Por nuk e detyron Poloninë të legalizojë me ligj martesat gay. Në vendim Gjykata nënvizon shprehimisht se regjistrimi nuk nënkupton futjen e martesës ndërmjet personave të së njëjtës gjini në të drejtën e brendshme. "Polonia duhet po, të njohë të drejta të barabarta familjare për çiftet e së njëjtës gjini, por mund të vendosë si ta bëjë: me martesë ose me bashkime civile" shpjegon sërish Schuster. Në atë rast martesat e lidhura jashtë vendit do të regjistroheshin në vend si bashkime civile.
Çfarë ndodh me vendimin në Itali
Është pikërisht ajo që ndodh në Itali. "Sa i përket bashkimeve civile në Itali, me këtë vendim nuk ndryshon asgjë" konfirmon Schuster. Ligji i vitit 2016 përcakton shprehimisht që martesat e lidhura jashtë vendit në Itali të deklasifikohen si bashkim civil. Por asnjë kryetar bashkie dhe asnjë autoritet politik apo administrativ në Itali nuk mund të refuzojë më regjistrimin e një martese gay ose lesbike të lidhur jashtë vendit, siç ndodhte deri në vitin 2016.
Dallimi mes bashkimeve civile dhe martesës
Në Itali bashkimet civile u garantojnë bashkëshortëve pothuajse të gjitha të drejtat e çifteve të martuara, por nuk u jepnin të drejta sa i përket fëmijëve, për shembull atë të njohjes automatike të fëmijëve që lindin pas bashkimit ose atë të adoptimit së bashku të një fëmije. Kjo pjesërisht ka ndryshuar falë një sërë vendimesh që kanë shpallur antikushtetuese disa nga ato ndalime. Vazhdon të mbetet në fuqi ndalimi i adoptimit të përbashkët për çiftet e bashkuara civilisht. Por këtë vit Gjykata Kushtetuese ka legalizuar njohjen në lindje të fëmijëve të çifteve lezbike. Që nga maji kryetarët e bashkive nuk mund të refuzojnë më regjistrimin e akteve të lindjes me dy nëna. Fëmijët e çifteve të burrave, nga ana tjetër, mund të njihen vetëm me adoptim në raste të veçanta, të ashtuquajturën stepchild adoption ("adoptimi i fëmijës së partnerit")./Corriere della sera
Komente









