Për herë të parë në një dalje publike, zv/kryetari i gjykatës së Durrësit, Paulin Çera që ushtron detyrën e kryetarit ngriti shqetësimin e madh të zvarritjes së gjyqeve. Vetingu ka përgjysmuar stafin e magjistratëve. Aktualisht në Durrës janë 11 gjyqtarë nga 23 që ka në organikë.

“Organika e Gjykatës e miratuar nga KLGJ parashikon 23 Gjyqtarë, ku aktualisht ushtrojnë detyrën efektivisht vetëm 11 Gjyqtarë. Përveçse Gjykata aktualisht punon me gjysmën e kapacitetit në burime njerëzore, sjellim në vëmendje tendencën gjithnjë e në rritje të çështjeve për gjykim. Gjithashtu edhe zgjerimi i juridiksionit të kësaj Gjykate me 4 Bashki, ngarkon gjyqtarët dhe të gjithë administratën përtej standardeve normale të punës”, tha Çera.

Ngarkesa e madhe ka renduar gjyqtarët të cilët punojnë përtej kapaciteteve për zbardhjen e vendimeve në kohë.

“Mesatarisht në ditë një gjyqtar i kësaj gjykatë gjykon nga 10 seanca deri në 32 seanca gjyqësore në ditë. Ngarkesa e secilit gjyqtar arrin deri në 660 çështje në gjykim”, shton ai.

Qytetarët e Durrësit nuk mund të marrin drejtësi në kohën e duhur, tha kryegjyqtari teksa rendit faktorët.

“Mungesa e burimeve njerëzore (mungesa e gjyqtarëve nëorganikë); Rishortimi disa herë i çështjes për shkak të ndryshimit tëtrupit gjykues (ndryshimi i gjyqtarëve për shkak tëvettingut, lëvizjeve paralele, dorëheqjeve, transferimit tëgjyqtarëve, etj.) Rritja ndjeshëm e numrit të çështjeve që vijnë për gjykim”, u shpreh me tej kryetari i komanduar i gjykatës.

Një shqetësim tjetër është infrastruktura. Godina e gjykatës së Durrësit është e rrënuar, ndaj i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë dhe KLGj-së ndërtimin e një godine të re.

“Ambientet e godinës ekzistuese janë të pamjaftueshme për ushtrimin e detyrës si nga ana e gjyqtarëve ashtu dhe administratës gjyqësore për garantimin e transparencës, trajtimit dinjitoz e solemn të qytetarëve në kërkesat e tyre apo seancat gjyqësore.

 Këto salla nuk e garantojnë këtë siguri për arsye të madhësisë, pikëpamjes teknike dhe pozicionimit të tyre. Dy nga sallat e gjykimit nuk kanë as dhomë këshillimi dhe gjyqtarët kur hyjnë dhe dalin në sallë ndodhen në të njëjtin ambient me qytetarët, çka nuk garanton nivelet minimale të sigurisë të gjyqtarëve”, vijon ai.

Është emergjente tha Çera si ndërtimi i godinës së re ashtu dhe plotësimi i organikës me magjistratë të rinj. Aktualisht pranë kësaj gjykate janë në gjykim 3517 çështje civile dhe 1886 çështje penale.