Mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv u diskutua mbi vendimin e Gjykatës së Lartë që la në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, pavarësisht një vendimmarrjeje të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese e cila kërkonte sqarim se pse masa e arrestit me burg ishte proporcionale në raport me detyrën e tij si kryebashkiak.

Avokati Alban Duraj u shpreh gjatë fjalës së tij se Gjykata e Lartë sot e kishte detyrim që të ndryshonte masën e sigurisë ndaj Veliajt dhe se sot ai duhet të ishte ulur në tryezën e kryebashkiakut.

Kjo pasi sipas Durajt, ekzistojnë të gjitha kriteret që Veliaj të hetohet në gjendje të lirë, duke nisur nga vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, te mos-pasja e kundravajtjeve të tjera penale nga ana e kryebashkiakut, si dhe te rrethanat familjare të Veliajt.

Më tej Duraj theksoi se në Gjykatën e Lartë pritet të caktohet edhe një tjetër datë, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj Veliajt.

“Ndryshe nga ligjet e tjera, ligji penal apo praktika unifikuese, ka fuqi prapavepruese. Që do të thotë kur është lehtësues, do të thotë që është në dobi të personit në hetim, në rastin konkret të Veliajt. Gjykata e Lartë kishte vetëm një vendimmarrje, që ishte ndryshimi i masës së sigurimit personal, nga ‘arresti me burg’ maksimumi mund të jepte ‘detyrim paraqitje’. Nëse do të isha unë, do e lija pa masë sigurie fare. Sepse janë të gjithë kriteret. Vetë vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë, vetë rrethanat e Veliajt. Veliaj nuk ka kryer asnjë kudërvajtje tjetër penale gjatë gjithë jetës. Pastaj ai është bërë me dy fëmijë të mitur. Mungesa në detyrë për 18 muaj. Isha besimplotë që Veliaj do të ishte ulur në tryezën e kryebashkiakut sot. Në Gjykatën e Lartë tashmë është për t’u caktuar edhe një datë tjetër”, tha mes të tjerash Duraj.

Lidhur me qëndrimin e Edi Ramës për çështjen ‘Veliaj’, avokati Duraj tha se kryeministri është kundër lirimit nga qelia të kryebashkiakut të Tiranës dhe këtë sipas tij e ka treguar në të gjithë kronologjinë e veprimeve të tij. Madje ai shkoi edhe më tej kur tha se çështja ndaj Veliajt mund të jetë stisur nga vetë Rama.

“Statusi i Ramës është një status për të larë gojën me zotin Veliaj. Sepse Rama e ka treguar, gjithë sjellja e tij në publik, por edhe të gjitha mesazhet që ai i ka dhënë, i ka dhënë kundër zotit Veliaj, duke parë te ai një rival. Mendoj se kjo është një çështje e stisur nga vetë enturazhi i Ramës. Ai e ka thënë që në ‘një nga ato ditët dua të shoh Veliajn kur të varet në pemë’”, shtoi Duraj.

Nga ana tjetër, ish-prokurori Ervin Karanxha tha se çështja për masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj do të shkojë sërish në Gjykatën Kushtetuese, ku sipas tij mund të merret vendim që të shfuqizojë masën dhe Veliaj të lirohet.

Më tej Karanxha theksoi se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë për Veliajn u mor në Dhomë Këshillimi, praktikë e cila sipas tij duhet ndryshuar.

Ai shtoi se mos-zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga gjykatat e tjera po kthehet në trend, teksa shtoi se Shqipëria mund të gjobitet nga Gjykata e Strasburgut për rastin ‘Veliaj’.

Lidhur me vendimmarrjen e mëparshme të Kushtetueses që kishte kërkuar sqarim nga Gjykata e Lartë se pse masa e arrestit me burg ishte proporcionale në raport me detyrën e tij si kryebashkiak, Karanxha tha se në Shqipëri është bërë modë mos-respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Çështja do shkojë sërish në Gjykatën Kushtetuese. ‘Kemi një vendim tëndin, është zbatuar, nuk është zbatuar’. Sepse moszbatimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë trend. Shqipëria po gjobitet në Gjykatën e Strasburgut. Dhe po vazhdohet me trendin e burgut. Mos-respektimin e vendimeve të Strasburgut. Shohim një regres. Moszbatimi i vendimit të gjykatës është rënie e shtetit të së drejtës. Gjykata Kushtetuese t’i shfuqizojë këto masa dhe të lirohet. Edhe te rasti i pagave duhet të marrë një qëndrim më aktiv Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një rol më aktiv në kuadër të mbrojtjes së Kushtetutës. Për procedurën e ndjekur sot në Gjykatën e Lartë, nuk është faji i Gjykatës së Lartë. Është faji i Reformës. Madje ke vendime shumë të diskutueshme që janë prishur në dhomë këshillimi. Me ndryshimet e fundit në 2017 dhe 2021 Gjykata e Lartë çdo çështje e bën në Dhomë Këshillimi. Ka pasur raste që personi ka vdekur dhe është bërë gjyqi. Gjykata e Lartë sot gjykon çështje të vjetra. Ligji duhet të ndryshohet. 99% e dosjeve shqyrtohen me Dhomë Këshillimi”, tha mes të tjerash Karanxha.