TIRANE - Shqyrtimi i projekt ligjit për Gjykatën e Lartë duhet të shtyhet pas 6 shtatorit. Kërkesë kjo, e cila erdhi sot nga deputetët socialistë gjatë diskutimit të punës së Komisionit të Ligjeve.

Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, kërkoi shtyrjen e shqyrtimit të këtij drafti pas 6 shtatorit, duke qenë se në këtë datë fillon edhe shqyrtimi i nismës së Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese.

"Meqë amendamentet tona kanë lidhje drejtpërsëdrejti me ligjin "Për Gjykatën e Lartë" mendoj që kjo të shtyhet pak në kohë sa të fillojë ky proces", u shpreh deputeti Xhafaj për mediat.

Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli e kundërshtoi propozimin e PS-së, duke thënë se Konferenca e Kryetarëve e ka përcaktuar kalendarin për Këshillin e Legjislacionit dhe komisionin e Ligjeve për amendamentet kushtetuese.

"Konferenca përcaktoi shqyrtimin e pr/ligjit "Për Gjykatën e Lartë" në seancën plenare të ditës së enjte më datë 13 shtator, që do të thotë se jemi të detyruar t'i bindemi Konferencës dhe ky pr/ligj do të trajtohet ose të hënën ose të martën në komision. Ne duhet t'i përshtatemi kalendarit dhe nuk shoh asnjë motiv për ndryshimin e tij. Mendoj ta lëmë si e ka përcaktuar Konferenca", tha kryetari Rusmajli për mediat.

Miratimi i projekt ligjit për Gjykatën e Lartë, pjesë e rëndësishme e axhendës aktuale parlamentare, kërkon edhe votat e opozitës, për ngritjen më tej të Gjykatës Administrative.

(Gre.M/Shqiptarja.com)