Kolegji penal i kryesuar nga Medi Bici vendosi të pushojë çështjen penale në ngarkim të dy deputetëve socialistë 8 muaj pas marrjes si të pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme.
Pushimi i çështjes sipas Kolegjit vjen për shkak se në shqyrtimin gjyqësor ka rezultuar se nuk ka vepër penale dhe për këtë arsye u shpreh Bici, prokuroria nuk duhet të kish nisur procedim penal.
Ndreu i cili kishte zgjedhur të ishte i pranishëm në seancën e vendimit, në ndryshim nga kolegu i tij Ndoka i cili mungoi, u shpreh se prokuroria duhet të merret me çështje që vërtetë shqetësojnë vendin dhe jo të sajonte një proces si ky.
“Kërkoj falje për atë moment gjaknxehtësie po nuk mund të bënte shkak ligjor për të ndërtuar një fabul dhe për ta sjellë në gjykatë. Vendimi i gjykatës e tregoi se kjo orvatje ishte nul dhe çështja penale nuk duhet të fillonte. Më vjen keq për autorët që e gatuan këtë histori kaq të madhe. Vendi ka çështje shumë më të thella e rrezikshmëri shumë më të lartë sesa këta, janë gjëra që kanë ndodhur në të gjithë botën e do të ndodhin. Unë e di që jam person atraktiv se kam vit që jam në qendër të vëmendjes për tu sulmuar. Por ju deklaroj se nuk kam qenë e nuk do të jem kurrë në linjat e bashkëpunimit me krimin”, u shpreh Ndreu në përfundim të seancës.