Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se nëse ditën e nesërme kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj do të dalë nga qelia, ky sipas tij do të jetë ‘funerali’ përfundimtar i Reformës në Drejtësi.
Komentet Bardhi i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, një ditë para se Gjykata e Lartë të mblidhet për të rishqyrtuar masën ndaj Erion Veliajt, pas rikthimit nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas Bardhit, Veliaj është në burg për katër prej akuzave më të rënda që mund të peshojnë mbi një zyrtar të lartë. Bardhi i bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të “monitorojnë me vëmendje atë që po ndodh në Gjykatën e Lartë.”
Më tej Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po bën gjithçka për të ndikuar trupin gjykues dhe për të realizuar atë që ai e quajti ‘skenarin e nxjerrjes së Erion Veliajt nga burgu.’
Reagimi i Bardhit:
Nëse nesër Erion Veliaj del nga burgu, me vendim të Gjykatës së Lartë, ky do të jetë funerali përfundimtar i Reformës në Drejtësi.
Erion Veliaj nuk është në burg për një akuzë të vetme, por për katër prej akuzave më të rënda që mund të rëndojnë mbi një zyrtar të lartë. SPAK e ka marrë të pandehur për 9 raste korrupsioni, të kryera në bashkëpunim, për pastrim parash, të kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, për fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre. Për nga pesha dhe numri i akuzave, Erion Veliaj konkurron sot vetëm me Belinda Ballukun.
I bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë të monitorojnë me vëmendje atë që po ndodh në Gjykatën e Lartë. Kryeministri Edi Rama po bën gjithçka për të ndikuar trupin gjykues dhe për të realizuar skenarin e nxjerrjes së Erion Veliajt nga burgu.
Partnerët tanë, që kanë investuar prej 10 vitesh në Reformën në Drejtësi, kanë rastin ta vlerësojnë atë që po ndodh në Gjykatën e Lartë si pjesë të standardit me të cilin matet lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë në Shqipëri.
I bëj thirrje gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të qëndrojnë në lartësinë e detyrës dhe pritshmërive të qytetarëve shqiptar për drejtësi dhe luftë ndaj pandëshkueshmërisë. Nëse një person që akuzohet për 9 raste korrupsioni dhe 4 vepra penale, lihet i lirë, atëherë sistemi i paraburgimit nuk duhet të ekzistojë më në vend.
Drejtësia nuk mund të ketë një standard për qytetarët dhe një tjetër, kur përballë saj janë njerëzit e pushtetit.
-
Deri me dje thonit se futi Edi ne burge bashke me Ballukun,tani thoni qe po e nxjerr,
Përgjigju







Komente
Komento