TIRANË- Kryeministri Edi Rama i qëndron deklarimeve të tij se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj po mbahet në qeli pa gjyq. Në një reagim pas vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë, e cila la në fuqi masën e arrestit me burg për të parin e Tiranës, Rama e cilësoi rastin e Veliajt unik në Europën demokratike dhe tha se kryeqyteti prej thuajse dy vitesh vijon të jetë “me kokë të prerë”.

“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq”, shkruan Rama.

Ndonëse thekson se ka një standard,që të mos komentojë vendimet e gjykatave derisa të marrin formë të prerë, shefi i qeverisë thotë se në rastin e Veliajt ka një “të vërtetë të hidhur”: Tirana prej thuajse dy vitesh vijon të jetë pa kryetarin e zgjedhur në drejtim dhe, sipas ti, koston e këtij “eksperimenti” po e paguajnë çdo ditë afro 1 milion banorë të kryeqytetit. Kryeministri shkon edhe më tej, kur thotë se Veliaj po mbahet në qeli ndonëse ndaj tij nuk ka asnjë provë që të vërtetojë rrezikshmërinë ekstreme.

“Rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli - madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë. Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur: Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik", shkruan më tej Rama.

Gjykata e Lartë la në fuqi masën e arrestit në burg për Erion Veliajn, pasi çështja ishte rikthyer më 25 maj nga gjykata kushtetuese. Në vendimin e zbardhur, i cili duhet të publikohet brenda 60 ditëve, Gjykata e Lartë duhet të argumentojë përse në rastin e Veliajt nuk është e përshtatshme një masë më e lehtë sigurie, në një kohë kur është kryebashkiak i Tiranës. 

Postimi i kryeministrit Edi Rama